Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Komisioneri i Bashkimit Europian për marrëdhënie me jashtë Kris Paten, u ka thënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, se deklaratat për Osekun dhe Pavarësisë së Kosovës nuk do të ndikojnë në vendime. Ai vlerësoi se Prishtina dhe Beogradi duhet të pushojnë me veprime të njëanshme të cilat ngrenë tensionet.
Me këtë rast Paten kërkoi nga institucionet që të tregojnë pjekuri dhe të bisedojnë me ata që kanë mosmarrëveshje. Ai tha, se statusi përfundimtar i Kosovës nuk është temë për sot, por as nuk mund të shtyhet pafundësisht. Zyrtari i lartë evropian iu është drejtuar deputetëve të Kosovës në seancën e sotme në të cilën morën pjesë edhe kryetari Rugova, kryeministri Rexhepi, kryeadministratori Harri Holker dhe shefja e zyrës amerikane në Prishtinë Marsi Riz.
Deklaratat parlamentare kundër pavarësisë, nuk janë të dobishme, po kështu nuk mund të jenë as deklarata parlamentare për pavarësinë. Asnjëra nuk do të ketë ndikimin më të vogël në vendimin final, prandaj duhet të ndërpriten provokimet. Paten vlerësoi se fillimi i dialogut shqiptaro-serb, do të dërgonte një porosi pozitive tek Bashkësia Ndërkombëtare, duke treguar se liderët e Kosovës janë të aftë që të marrin përsipër përgjegjësi.
Ai me këtë rast i siguroi kosovarët, se përgjatë këtij procesi UNMIK-u do të jetë përkrah tyre. Në anën tjetër ai tërhoqi vërejtjen, se nuk mund të thuhet se SHBA janë në anën e Kosovës, ndërsa BE në anën e Serbisë. Sipas tij nuk ka anë në këtë dialog, por qëllimi është i përbashkët që dialogu të fillojë sa më shpejt dhe të sjellë rezultat pozitiv. Në anën tjetër kryeadministratori Holker shfrytëzoi rastin që të ftojë institucionet e Kosovës që të jenë partner me UMNIK-un.
Ndërsa kryeparlamentari Daci, në fillim të seancës parlamentar vlerësoi, se sfida më e madhe për Kosovën janë veprimet e vazhdueshme të Beogradit kundër Kosovës, që së fundi u zhvilluan madje dhe me agresion kushtetues. Kjo ishte hera e parë që deputetëve iu drejtua një zyrtar i lartë i BE me një fjalim të gjatë informues dhe këshilldhënës, por ka gjasa që javën e ardhshme Kuvendit t’i drejtohet edhe ish-presidenti amerikan Bill Klinton, i cili më 19 Shtator do të vizitojë Kosovës./tvklan.al
Gazetare – Blerta Foniqi