Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përgëzuar Shqipërinë për arritjet e siguruara në drejtim të administratës tatimore gjatë viteve të fundit. Gjatë një takimi të organizuar ditët e fundit në selinë e FMN-së në Uashington, delegacioni shqiptar i kryesuar nga drejtori i përgjithshëm i tatimeve, Artur Papajani, ka njohur Fondin me arritjet e deritanishme.

Artur Papajani: “Vlerësimet ishin pas një mbikëqyrje të vazhdueshme të bërë kësaj administrate, këtyre politika fiskale nga misionet e herë pas hershme të fondit që kanë ardhur për vizitë periodike në Shqipëri dhe vlerësimi për Shqipërinë ishte jashtë zakonisht pozitiv. U dhanë vlerësime maksimale për politikat fiskale të ndërmarra 3 vitet e fundit, u dhanë vlerësime maksimale për administrimin fiskal të bërë 3 vitet e fundit dhe sidomos për periudhën që ato i quajnë periudhë krize të vitit 2009 e në vazhdim”.

Pavarësisht krizës globale ekonomike, Drejtoria e Tatimeve bën me dije se deri ditët e para të qershorit të ardhurat janë rritur me rreth 11% krahasuar vitin e kaluar.

Artur Papajani: “Shifra e thashë është mbi 6 miliard, 6.5-6 miliard kundrejt vitit 2008 dhe kundrejt programit të vitit 2009 5 mujori. Objektivi jonë është plotësuar 100.3% si administratë tatimore. Në total rezulton i plotësuar ai detyrim që kemi nga plani i Ministrisë së Financave i vendosur”.

Gjatë takimeve në Uashington FMN i siguroi tatimoret shqiptare për mbështetje në reformën e Teknologjisë së Informacionit, falë financimit të një sistemi modern që do të mundësojë kompjuterizimin e këtij sektori./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro