Te paktën 15 mije biznese, qe aktualisht klasifikohen si biznes i vogël, pritet te shndërrohen ne subjekte te pagimit te tatimit te vlerës se shtuar.
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, tregon për TV Klan se i ka kërkuar Ministrit te Financave përgjysmimin e pragut për futjen ne skemën e TVSH, nga 8 milion leke qe është aktualisht ne 4 milion leke xhiro vjetore.
Artur Papajani: “Nga deklarimi që u bë në Mars, në fund të Marsit nga biznesi i vogël jemi krejtësisht të çorientuar, dmth, nuk na vlejnë ato shifra, sepse vetëm 10% e bizneseve të vogla në Shqipëri kanë një qarkullim mbi 2 milion lekë. Është një shtrembërim i hapur i konkurrencës në Shqipëri dhe kjo na bëri që të mendojmë që me vëzhgimet tona rreth 15 mijë subjekte duhet të bëhen tatimpagues të tatimit të vlerës së shtuar me uljen e pragut.”
Sipas kryetatimorit, zgjerimi i spektrit të aplikimit te TVSH-së edhe mbi bizneset e vogla vjen ne kuadër te luftës ndaj evazionit fiskal.
Artur Papajani: “Duke parë që përmasat e evazionit fiskal në Shqipëri po kondicionohen pikërisht nga kjo ndarje biznesi i vogël, biznesi i madh na bëri që t’i bëjmë këtë propozim Ministrit të Financave”.
Papajani shpjegon se barra e aplikimit te tatimit te vlerës se shtuar bie mbi konsumatorin, ndërkohe qe biznesi thjesht do të tregohet i rregullt ne marrjen dhe dhënien e faturave tatimore.
Artur Papajani: “Ky tatim është neutral. Nuk do të ndodhë asgjë me situatën financiare të biznesit sepse jemi ne konsumatorët finalë. Jemi ne blerësit që suportojmë totalisht shkallën e tatimit të vlerës së shtuar. Do të ketë një rritje të kostos administrative të këtij biznesi. Patjetër ka tjetër regjim përpunimi dokumentesh ky i tatimit të vlerës së shtuar, por nuk do ndryshojë regjimi fiskal përsa i takon tatimit të ardhurat. Mund të shikojmë një regjim të tatimit të vlerës së shtuar me periudha më të gjata deklarimi”.
Propozimi i tatimoreve pret miratimin e ministrit Bode, për te nisur nga aplikimi ne Janar te vitit te ardhshëm.
Ndërkohë kreu i tatimeve thotë se janë edhe rreth 3500 biznese te tjera kryesisht agjenci turistike te cilat tashme e kane kaluar pragun dhe pritet t’i shtohen listës se tatimpaguesve te mëdhenj./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro