Lajme Arkiva – TV Klan 2003

FMN-ja shtyn marrëveshjen me Shqipërinë, të nënshkruar disa ditë më parë. Mbledhja e bordit të drejtorëve të FMN-së, ishte caktuar për t’u mbajtur në datën 29 Janar, ku do të shqyrtohej edhe marrëveshja e qeverisë shqiptare, për progresin ekonomik dhe financiar, pra memorandumi i mirëkuptimit midis qeverisë dhe FMN-së.

Burime të besueshme bëjnë të ditur se në mbledhjen paraprake të bordit është hequr nga rendi i ditës, marrëveshja me Shqipërinë me pretendimin se nuk janë plotësuar të gjitha kushtet e saj. Të njëjtat burime konfirmojnë se disa nga kushtet kryesore të paplotësuara nga qeveria shqiptare, janë moskalimi në parlament i ligjit, për mbylljen e dyqaneve “Duty Free”, si edhe ndryshime e vazhdueshme në dogana, ndër to edhe emërimi nga kryeministri i kreut të ri të doganave Ferdinand Papadhima.

Sipas përfaqësuesit të FMN-së në Shqipëri Jan Peter Olters, bordi i FMN-së do të jetë në gjendje të diskutojë programin ekonomik për Shqipërinë dhe të konkludojë rishikimin e parë të këtij programi, vetëm nëse legjislacioni për mbylljen e dyqaneve “Duty Free”, do të kalojë në parlament.

Drejtuesit e FMN-së shprehen, se qeveria shqiptare do të jetë në gjendje të përforcojë përpjekjet e saj, për të ndryshuar përkeqësimin e ecurisë në mbledhjen e të ardhurave e vënë re së fundi në drejtorinë e doganave, për forcimin e integritetit institucional dhe përmirësimin e qeverisjes me qëllim që të inkurajohet zhvillimi social-ekonomik në vend./tvklan.al