Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson progresin e shpejt ekonomik dhe stabilitetin financiar të Shqipërisë. Në përfundim të një vizite dyjavore në Tiranë, shefi i FMN-së për Shqipërinë deklaroi se pavarësisht krizës botërore të çmimeve, për 2008 inflacioni në vend do të mbetet brenda kufirit të sipërm 4%.
Gerwin Bell: “Falë politikave të matura buxhetore dhe monetare, inflacioni në Shqipëri parashikohet të mbahet në 4% në 2008 më i ulëti se në vende të tjera të rajonit. Rreziqe fiskale mbeten tejkalimi i kostos në rrugën Rrëshen-Kalimash dhe situata e keqe financiare e KESH-it. Kriza botërore e kredisë nuk ka prekur Shqipërinë. Banka e Shqipërisë duhet tu përgjigjet çdo efekti të raundit të 2 nga presionet globale të çmimeve, përfshirë edhe rritjet e mëtejshme të normave të interesit”.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, u shpreh se institucioni që ai drejton po monitoron me kujdes situatën e çmimeve në vend.
Ardian Fullani: “Banka e Shqipërisë, vlerëson se presionet nga ana e ofertës janë ende në kahun rritës mallrat ushqimore, lëndët e para dhe veçanërisht nafta dhe produktet e saj po njohin rritje të pa ndashme në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë rreziqet janë të vendosura dhe nga krahu i kërkesës dhe më së shumti lidhen me zgjerimin e shpejtë, siç e dimë të gjithë të kredisë për ekonomi”.
Nga ana e vetë qeveria do të kompensojë pasojat e rritjes së çmimeve. Zv/ministri i Financave Sherefedin Shehu, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me FMN dhe Bankën e Shqipërisë, konfirmojë marrjen e masave për minimizimin e efekteve të inflacionit mbi popullsinë.
Sherefedin Shehu: “Fondet të cilat janë në formën e kontingjencës për rritjen e pagave do të përdoren pjesërisht edhe për mbrojtjen e shtresave në nevojë dhe rritja e pagave do të jetë e tillë që të garantojë mbrojtjen e atyre që preken më shumë nga inflacioni”.
Si shefi i FMN-së ashtu dhe guvernatori Fullani janë të mendimit se qeveria duhet të tregohet më e kujdesshme në rritjen e pagave.
Gerwin Bell: “Ndihma ndaj të varfërve për të kompensuar efektet e çmimeve të rritura të ushqimeve dhe të energjisë është e drejtë. Rritjet reale të rrogave në sektorin publik duhet të kufizohen fort për të shmangur nxitjen e një spiraleje paga-inflacion”.
Korporata Elektroenergjetike është një tjetër çështje ku u ndal shefi i FMN-së. Energjia me humbje përbën rrezik u shpreh Bell, i cili përkrahu privatizimin e KESH-it, por për të përmirësuar situatën financiare të Korporatës do të nevojitej një tjetër rritje çmimit të energjisë apo në të kundërt reduktimi i importeve. Çështja e pronës, zbatimi i ligjeve apo saktësia e statistikave janë sfera të tjera të cilat FMN i vlerëson problematike./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro