“Dhuro për jetën” nisma më e re e lançuar nga fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” për dhurimin e gjakut vullnetar kësaj herë është përcjellë si një mesazh sensibilizues nga vetë fëmijët.
Në një aktivitet të zhvilluar nën kujdesin e zonjës Liri Berisha, presidente të fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” si dhe stilistes Enada At Nikolla kanë qenë vogëlushet ata të cilët në sfilatën e tyre kanë përcjellë mesazhin e dhurimit të gjakut ku një pikë e dhuruar do të thotë një jetë e dhuruar.
Në fjalën përshëndetëse kryetarja e fondacionit, Liri Berisha tha se apelimi për dhurimin vullnetar të gjakut është shprehja më e mirë për të shpëtuar një jetë.
Liri Berisha: “Kemi dëgjuar shpesh herë të bëhet thirrje për dhurimin vullnetar të gjakut nga institucione të ndryshme, nga mjekë, nga personalitete, nga vetë prindër. Kurse sot kjo thirrje vjen nga zëri i fëmijëve tuaj, vjen nga një zë shumë emocional, shumë i fortë, të cilët nëpërmjet një mesazhi gojor, por edhe nëpërmjet një sfilatë do të apelojmë për të drejtën më themelore të tyre, për të drejtën për jetën.”
Në sfilatën e zhvilluar nën kujdesin e stilistes Enada At Nikolla fëmijët krahas argëtimit shprehën dhe mesazhet e tyre për dhurimin e gjakut vullnetar si një mundësi jete për bashkëmoshatarët e tyre.
“Ju them të gjithë prindërve që të dhurojnë gjak për shokët tanë.”
“Fëmijët Shqiptarë” dhe nisma “Dhuro për jetën” do të organizojë një sërë fushatash të tjera për sensibilizimin e shoqërisë në dhurimin e gjakut./tvklan.al