Forcimi i institucioneve, infrastruktura si dhe projektet në sektorin e rendit e sigurisë publike janë fushat të cilat do të kenë prioritet në shpërndarjen e fondeve të Komisionit Evropian, të parashikuara për Shqipërinë në periudhën 2009-2011.

Gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit të Strategjive, kryeministri Sali Berisha theksoi se kjo asistence është një tjetër mbështetje që i jepet qeverisë shqiptare dhe reformave të ndërmarra prej saj.

Sali Berisha: “Asistenca e programit në kuadrin e kësaj marrëveshje për Shqipërinë në periudhën 3 vjeçare është 269.4 milion euro dhe vetëm për vitin 2010 është rreth 93 milion euro. Pra siç e shihni është një shumë e konsiderueshme, jashtëzakonisht e rëndësishme për nevojat e vendit. Nga kjo shumë 82,7 milionë euro janë për asistencën e forcimit institucional dhe 10.5 milionë euro për bashkëpunimin ndërkufitar.”

Sipas kryeministrit ky ishte një shqyrtim paraprak i propozimeve të bëra nga ministritë, ndërkohë që miratimi zyrtar  do të bëhet vetëm në 1 Shtator.

Lëvrimi i financimeve nga Komisionit Evropian, behet  në kuadrin e marrëveshjes IPA për vitin 2010./tvklan.al