Dy armë dhe shenja të konsumit të kokainës u gjetën në banesën në një pallat në Astir të enjten pas alarmit që dha një vajzë se ishte rrëmbyer dhe dhunuar nga disa persona.
Këto janë pamjet brenda apartamentit, ku në tavolinë duken dy pistoletat. Ndër të tjera aty shihen mbetje të konsumit të kokainës, cigare dhe pije alkoolike.
Armët u gjetën në banesën ngjitur me apartamentin e vajzës, e cila ishte mbyllur brenda dhe nuk pranonte t’i hapte derën policisë.
Në vendngjarje shkuan edhe forcat RENEA që u futën me litar nga dritarja brenda apartamentit. Gjatë tentativave për të hyrë, policia u fut edhe në banesën ngjitur ku ndodhej vajza, ku dhe gjeti dy pistoletat.
Nga hetimet rezultoi se apartamenti ku qëndronte vajza ishte marrë me qira ditore nga i dashuri i saj. Ky i fundit kishte marrë me qira ditore edhe apartamentin ngjitur, pasi të dyja kanë të njëjtin pronar.
24 orë pas kësaj ngjarje, sot Policia e Tiranës bëri me dije se për këtë ngjarje ka shpallur në kërkim 5 persona; S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë. Mes tyre është edhe i dashuri i vajzës, person me precedent të mëparshëm penal.
Policia deklaroi se të gjithë këta persona mbanin mbyllur në banesë vajzën me iniciale S.Q.
/tvklan.al