Tiranë -Pak minuta pas publikimit nga policia të fotos së një personi që dyshohej se ishte një nga bashkëpunëtorët e grabitjes së bankës një ditë më parë, ky i fundit është paraqitur në ambientet e Drejtorisë së Policisë.

Shtetasi i identifikuar si E. Kodra ka dhënë një dëshmi të plotë, se përse ndodhej pranë bankës në momentin para ngjarjes.

Ai ka mohuar të ketë lidhje me grabitësit, apo që të ketë ndihmuar në veprimet kriminale.

I pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore se përse ndodhej aty, ai ka shpejguar se do kryente veprime në bankomat  për tërheqjen e një shume parash, që ai i ka depozituar si klient i bankës.

Më herët policia publikoi foto të E.Kodrës që ndodhej pranë bankës, duke ngritur dyshimet se ai ishte një nga bashkëpunëtorët në ngjarje.

Burime nga policia bëjnë me dije se ky shtetas, 10 minuta para dhe gjatë momentit të grabitjes, fillimisht i është afruar bankomatit dhe më pas ka qëndruar aty deri në momentin që është kryer grabitja dhe më pas është larguar.

Dy persona të maskuar dhe të armatosur grabitën nën kërcënimin e armës një sasi parash në një bankë të nivelit të dytë në zonën pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit” në Tiranë.

Megjithë hetimet intensive, ende nuk ka asnjë të ndaluar për ngjarjen./ tvklan.al