Të shtunën në mbrëmje, Bashkia e Tiranës do të hapë për qytetarët sheshin “Skënderbej”, i cili do të jetë tërësisht në dispozicion vetëm të këmbësorëve. E ndërsa mjeshtrit që janë marrë me ndërtimin e tij po i japin dorën e fundit, edhe detajeve më të vogla, për të qenë gjithçka gati, dje në mbrëmje janë testuar edhe shatërvanët e shumtë, si dhe ndriçimi i godinave rreth e qark sheshit dhe të vetë sheshit.
Siç edhe shihet nga fotot, pamjet që ofron ky shesh janë vërtetë spektakolare, ku uji i shatërvanëve dhe ndriçimi me të cilin është pajisur ofron një oaz të vërtetë, ku më të rriturit mund të kalojnë një mbrëmje të freskët, ndërsa fëmijët të mund të argëtohen me lojëra të ndryshme me patina apo biçikleta.
Ky shesh është në fakt një risi për vendin tonë, edhe në këndvështrimin ekologjik, duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Për të bërë të mundur këtë, poshtë sheshit janë ndërtuar rreth 2100 m3 rezervuare për ujin. Ndërkohë që ndriçimi i sheshit dhe i godinave përreth, si dhe gurët e pemët e sjella nga gjitha trojet shqiptare i jep qendrës së Tiranës pamje dinjitoze, duke u shndërruar atë në mënyrë simbolike në qendrën e të gjithë shqiptarëve.
Sheshi është shtruar gurë natyralë, në formën e pllakave të gurit me trashësi 10-12 centimetra dhe që janë marrë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, duke nisur nga Tropoja dhe Kukësi, Bilishti, Librazhdi, gëlqerorët e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Berati, Vlorës, Krujës, Bulqizës, Prizrenit, Ersekës, Skraparit etj. E gjithë sipërfaqja e shtruar me këto gurë arin në rreth 41 mijë metra katrorë sipërfaqje sheshe dhe trotuare.
Një element shumë i rëndësishëm i këtij sheshi është edhe gjelbërimi. Ky projekt ka sjellë në qendrën e Tiranës, varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria. Sipërfaqet e gjelbërta do të mbillen me rreth 900 pemë të larta dekorative, 520 drurë frutorë, 954 shkurre të larta dekorative, 4400 shkurre të ulëta dhe 35 mijë rrënjë lulesh./tvklan.al