Presidenti francez Emmanuel Macron u ka kërkuar udhëheqësve myslimanë të pranojnë një “statut të vlerave republikane” si pjesë për të goditur islamin radikal në vend.
Macron i ka dhënë Këshillit Francez të Besimit Mysliman, një ultimatum 15-ditor për të pranuar statutin.
Në statut thuhet se “Islami është një fe dhe jo një lëvizje politike, ndërsa ndalon gjithashtu “ndërhyrjen e huaj” në grupet myslimane.”
Presidenti ka mbrojtur me forcë sekularizmin francez pas sulmeve në Francë, në të cilat përfshihet edhe prerja e kokës së një mësuesi që shfaqi karikaturat e Profetit Muhamed, gjatë një diskutimi në klasë muajin e kaluar.
Të mërkurën vonë, Presidenti dhe ministri i Brendshëm francez, Gérald Darmanin, u takuan me tetë drejtuesit e Këshillit të Besimit Mysliman në pallatin Élysée.
Përfaqësuesit e Këshillit, gjithashtu ranë dakord të krijojnë një Këshill Kombëtar të Imamëve. Imamët do të jenë me akreditim zyrtar i cili mund të tërhiqet nëse shkelet ndonjë kod etik.
Është njoftuar gjjithashtu për masa të reja për trajtimin e “separatizmit islamik” në Francë.
Në këto masa do të përfshihet një projekt-ligj që ka për synim të parandalojë radikalizimin. Në bazë të tij do ndalohet shkollimi në shtëpi dhe do të ketë ndëshkime të ashpra për ata që kërcënojnë zyrtarët publikë për arsye fetare.
Në fillim të këtij viti, Presidenti Macron e përshkroi Islamin si një fe “në krizë” dhe mbrojti të drejtën e revistave për të botuar karikaturat që përshkruajnë Profetin Muhamed. Nderkohë që, pamje të tilla konsiderohen gjerësisht si tabu në Islam dhe konsiderohen shumë fyese nga shumë myslimanë.
Pas këtyre komenteve, udhëheqësi francez u bë një figurë e urrejtjes në disa vende me shumicë myslimane.
Kujtojmë se, Franca ka popullsinë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore./tvklan.al