Dominique Pelicot është dënuar me 20 vite burg për drogimin dhe rekrutimin e personave që e përdhunuan për rreth një dekadë.

72-vjeçari u shpall fajtor nga gjykata e Avignon në Francë për të gjitha akuzat që rëndonin mbi të dhe derdhi edhe lot pasi mësoi se kishte marrë dënimin maksimal.

Ai u gjykua bashkë me 50 burra të tjerë, të gjithë të shpallur fajtorë  për të paktën një akuzë.

Gisèle dhe fëmijët e saj e Dominique dukeshin tërësisht pa shprehje teksa lexoheshin vendimet dhe herë pas here shihnin të pandehurit. Vendimet sollën mbylljen e gjyqit më të madh të përdhunimit në Francë i cili përgjatë tre muajve ka tronditur vendin dhe botën.

72-vjeçarja foli pas vendimit dhe tha se kishte qenë “një çështje shumë e vështirë”.

“Mendoj për të gjitha viktimat e panjohura të historive që shpesh ndodhin në  hije. Dua ta dini që ne kemi të njëjtën luftë”. Gisele tha se “nuk ishte penduar kurrë” për faktin që gjyqi u bë i  hapur dhe mesazhet që ka marrë nga  mbështetësit i dhanë “forcën” për të vazhduar. Ajo donte që gjyqi të ishte  publik  që “shoqëria të shihte çfaë po ndodhte”.

Domiqnique Pelicot është  shpallur fajtor edhe për tentativë përdhunimi ndaj gruas së një të pandehuri tjetër, Jean-Pierre Marechal.  Ky i fundit përshkruhet si “dishepulli” i Dominique dhe ndoqi rrugën e tij duke droguar dhe  përdhunuar bashkëshorten e më pas i sugjeroi 72-vjeçarit të bënte të njëjtën gjë. Marechal u dënua me 12 vite burg.

Veç kësaj, gjykata e shpalli fajtor edhe për imazhet seksuale të shkrepura ndaj së bijës, Caroline Darian dhe bashkëshorteve të djemve, Aurore dhe Celine.

Pas shpalljes  së vendimeve, avokatja  e tij tha se klienti i saj ishte “disi i hutuar” dhe do të konsideronte apelin. Ai ka 10 ditë afat për të vendosur.

Nga 50 të pandehurit, dy u shpallën fajtor për përdhunim, dy për tentativë përdhunimi dhe dy për abuzim seksual. Disa prej tyre kanë kryer një pjesë të dënimit pasi janë arrestuar kur policia nisi hetimin në vitin 2021 dhe do të dalin më shpejt.

Pjesa më e madhe e të akuzuarve kanë mohuar veprën e përdhunimit. Ata janë shprehur se nuk e kuptuan që Gisèle ishte e pavetëdijshme  dhe “nuk e dinin” që po e përdhunonin. Argumenti i tyre ka nisur një debat mabrëkombëtar në Francë për përkufizimin ligjor të përdhunimit.

Dënimet e tyre variuan nga 3-15 vjet, më pak sesa kishin  kërkuar prokurorët e çështjes./tvklan.al