Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Mbështetje totale për Partinë Socialiste gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të Tetorit. Ky ishte konkluzioni me të cilin doli mbledhja e këshillit të përgjithshëm drejtues të FRESH-it. Ky forum ka filluar kështu përgatitjet për fushatën e zgjedhjeve. Kryetari i eurosocialistëve Gjergj Koja, ka thënë se fryma e debatit që ka nisur në PS është ajo çka i siguron kësaj partie mbijetesën dhe rininë. Më tej Koja ka thënë:
Gjergj Koja:- “Ndërkohë që atmosfera elektorale me gjithë sfidat dhe emocionet e saj normale dhe të pranueshme, është prekur rëndë dhe po anashkalohet nga një rigjallërim i frikshëm i krimit, që nuk është parë të paktën në 5 vitet e fundit. Duke vrarë efektivë të policisë, biznesmenë apo dhe njerëz të thjeshtë, krimi po sfidon hapur shtetin shqiptar”.
Nuk munguan në këtë takim edhe tonet kritike ndaj PS, të cilat i bëri të ditura njëri prej nënkryetarëve të forumit. Megjithëse u vu në dukje dhe fakti se në këshillat e komunave apo të bashkive, FRESH-i ka një përfaqësim të vogël përsëri anëtarët e këtij forumi do të mbështesin fuqimisht PS, për të marrë një fitore dhe në këto zgjedhje lokale./tvklan.al