Shqipërinë do ta kthejmë në një superfuqi energjetike në rajon. Ky ka qenë premtimi i kryeministrit Berisha gjatë inaugurimit të fillimit të punimeve për projektin e kaskades së Devollit, një investim ky që kap vlerën e 1 miliard euro dhe që do të behet i mundur falë bashkëpunimit ndërmjet kompanisë norvegjeze “Statkraft AS” dhe kompanisë austriake “EVN AG”.

Për shefin e qeverisë projekti i Shqipërisë evropiane vetëm muajt e fundit ka bërë që të nisin nga puna një sërë veprash me një rëndësi të madhe në fushën e energjitkës, investime këto tha kryeministri, që së bashku me shumë të tjera do ta kthejnë Shqipërinë në një superfuqi energjetike të vërtete në rajon.

Sali Berisha: “Kemi inauguruar fillim punimesh të veprave që katër vite më parë nuk mund të imagjinoheshin. Inauguruam fillimin e parkut energjetik në Lezhë, një investim prej 1.2 miliard euro, inauguruam fillimin e punimeve për hidrocentralin e Ashtës, me një investim prej 160 milion euro. Dhe sot në një hark kohor tre javor ne inaugurojmë gjigandin e Shqipërisë, Ballkanit dhe Evropës, projektin më të madh energjetik aktual në kontinentin tonë.”

Duke vlerësuar projektin e realizuar nga dy prej kompanive më prestigjioze në  fushën e hidro-energjisë, si një kryevepër të ndërtimit, në llojin e vet, kryeministri siguroi se investime të përmasave të tilla do të gjejnë mbështetjen e plotë të qeverisë vendore dhe asaj qendrore.

Sali Berisha: “Këto investime bënë Shqipërinë, para së gjithash dhe mbi të gjithash, se qeveria ime ka krijuar në këtë vend klimën dhe kushtet më miqësore për investitorët e huaj. Shqipëria, e cila 18 vite më parë i kishte të ndaluara me Kushtetutë investimet e huaja, vetëm në harkun kohor të gjashtë muajve të fundit ka firmosur kontrata koncesionare prej 5,6 miliard euro.”

Për shefin e qeverise ky megaprojekt, përveç rëndësisë madhore që ka në historinë e zhvillimit që vendit synon që të hapë edhe 8 mijë vende të reja pune.

Sali Berisha: “Kaskada e Devollit që ndërtohet në një tunel rreth 62 km do të punësojë direkt 5 mijë qytetarë shqiptarë dhe indirekt do të punësojë edhe 3 mijë të tjerë. Vetëm rrogat e tyre të marra së bashku janë rreth 180 milion euro. Por ky hidrocentral është një gur i madh themeli në strategjinë time, Shqipëria superfuqi energjetike në rajon.”

Projekti i Shqipërisë Evropiane tha kryeministri Berisha nuk mbaron me kaskadën e Devollit. Për shefin e qeverisë ambicia e radhës është ajo për ta renditur Shqipërinë të parën në Europë përsa i përket rritjes ekonomike dhe investimeve të huaja.

Sali Berisha: “Taksa e sheshtë prej 10 %, lehtësira të tjera tarifore, zhdukja e barrierave burokratike, ka bërë Shqipërinë vend lider në rajon për investimet e huaja. …”/tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro