Kryetari i PS Edi Rama ka vijuar të prezantojë edhe në Patos kandidatët për qarkun e Fierit. Kreu i socialistëve nuk u mjaftua me mitingun në sheshin qendror të qytetit, por ka preferuar të takojë edhe banorë të tjerë në rrugë.
Rama i ka premtuar atyre se qeveria e tij do të bëjë të mundur liberalizimin e vizave brenda vitit 2010.
Edi Rama: “Pas 28 ditësh dua ta sjell qeverinë e Shqipërisë tek ju, dua ta çoj qeverinë e Shqipërisë në çdo qytet dhe në çdo fshat. Dua ta bëj qeverinë e Shqipërisë një instrument ndryshimi në duart tuaja, në duart e çdo shqiptari e shqiptareje që do të jetojë me punë të ndershme dhe që përmes punës së ndershme meriton të krijojë mirëqenie për vete, për familjen për fshatin dhe për qytetin e tij.”
Edi Rama deklaroi në Patos së do të heqë taksat për tre vjet për çdo fermer që investon në bujqësi, si një mundësi për të zhvilluar zonat rurale të vendit. Në ndihmë të këtij plani do ti vijë ministria e posaçme për fshatin, që do të dorëzojë edhe certifikatat e pronësisë.
Kryesocialisti duke kërkuar votën e shqiptarëve shfaqi si sfidë madhore të programit të tij luftën kundër varfërisë me nxitjen e punësimit.
Edi Rama: “Unë kam nevojë për të gjithë ju në mënyrë që nesër tua kthej 10-fish atë që ju do të bëni për mua dhe PS në 28 qershor. Na jepni numrat që na duhen që nesër t’ju japim të gjitha mundësitë që ju duhen për të jetuar pa qenë viktima të këtyre numrave që prej 18 vjetësh nuk ju kanë lënë të bëni, nuk ju kanë lënë të keni, nuk ju kanë lënë të jeni ata që ju meritoni.”/tvklan.al
Gazetar: Endrit Sauku