Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rihapet debati Nano-Meta. Në Roskovec kryeministri Nano ka paralajmëruar simpantizantët dhe anëtarët e PS, të ruhen nga ata shokë që shfrytëzojnë demokracinë brenda partisë.

Kryeministri Fatos Nano:- “Kini kujdes nga një numër edhe pseudo socialistësh, që duke abuzuar me demokracinë e brendshme të partisë sonë, akuzojnë edhe vetë PS, si burim mjerimi, apo autoritarizmi. Këta zëra po lëshojnë në emër të pseudo vetvetes, të njëjtat akuza si doktori pacient Berisha. Rrini të qetë motra e vëllezër, socialistët, progresistët dhe mazhoranca dërrmuese i komuniteteve që i mbështet, nuk besojnë më as vetë Berishën dhe as megafonët e tij të zgërlaqur edhe sikur ata të fshihen në radhët tona”.

Kreu i mazhorancës tha, se socialistët mbeten më të mirët, duke justifikuar rrugë, kryeministri Nano deklaroi se nuk erdhi për të bërë bilancin, por për të shpalosur të vërtetat e qeverisjes socialiste pas krizave të shkaktuara nga kreu i opozitës. Në Roskovec kryeministri Fatos Nano nisi turin e dytë elektoral, për të prezantuar Miss-in e bashkisë, siç e quajti ai kryetaren aktuale të bashkisë Lindita Çobon, si dhe për të deklaruar se deri në natën e 13 Tetorit, do t’i shkelte të gjitha bashkitë e mëdha dhe të vogla.

Kryeministri Fatos Nano:- “Lindita pra është një nga përfaqësueset e shquara të grave socialiste në politikë dhe në qeverisje. Më vjen mirë që ju do të vazhdoni të vlerësoni shpirtin e bukur socialistë edhe tek Lindita, pra Lindita jam i sigurt do vazhdojë të jetë Miss Roskoveci. Edhe këtu në Roskovec, si në gjithë Shqipërinë, Lindita do të vazhdojë të punojë fuqishëm me ju dhe me qeverinë qëndrore”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj