Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Anëtarët socialist të këshillit bashkiak të Tiranës, janë mbledhur sot në ditën e fundit të fushatës elektorale, në shtëpinë muze të mjeshtrit të pikturës, numrit një në listën e këshilltarëve bashkiakë socialistë artistit të popullit Sali Shijaku. I ftuar në këtë takim, ku ka qenë i pranishëm dhe kryebashkiaku Rama dhe kandidatët socialistë për bashkitë e kryeqytetit, ka qenë edhe kryeministri Fatos Nano.

Nano nuk ka nguruar të bëjë edhe një rezyme të një muaj e gjysmë fushatë elektorale. Në qoftë se të gjithë kandidatët për kryetar bashkie do të ishin si Edi Rama, është shprehur kreu i socialistëve, atëherë puna e qeverisë do të ishte shumë e thjeshtë.

Kryeministri Fatos Nano:- “Unë jam më i qetë tani, sepse jo të gjitha kërkesat për ndërtim modernizim, përplasen në qeveri për financime dhe Edi është një nga shembujt e integrimit të kontributeve financiare ligjore dhe Edi pastaj është mjeshtër për të thithur donacione. Unë jam shumë i nderuar që të jap një imazh të ekipit të këshilltarëve të mazhorancës në bashkinë e qytetit, i cili siç e shihni, këtu ka portrete të gjalla përveç tablove fantastike të mjeshtrit Shijaku. Unë do të thosha që ky është një ansambël polifonik fantastik”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka