Mediu në Dibër, sfida e koalicionit të djathtë, anëtarësimi në BE
Kryetari i “Partisë Republikane”, Fatmir Mediu gjatë turit të tij elektoral është ndalur në qarkun e Dibrës. Në këtë takim, Mediu ka nënvizuar edhe një herë pikat kryesore të qeverisjes së koalicionit të djathtë, ku prioritet ishte vendosja e shtetit ligjor.
Fatmir Mediu: “Me besimin që na dhatë, me bashkëpunimin që patëm me ju në radhë të parë për të ndërtuar shtetin ligjor, shtetin e ligjit ku të gjithë janë të barabartë përballë tij. Punuam çdo ditë, punuam çdo muaj dhe çdo vit për të ndërtuar standardet për shqiptarët, standarde të cilat bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO sot dhe në Bashkimin Evropian nesër, sepse ëndrra evropiane është ëndrra jonë e përbashkët. Ne kemi vetëm një rrugë, Bashkimin Evropian.”
Mediu tha se gjatë mandatit të dytë kjo qeveri do të punojnë për të arritur standarde të larta. Do të vijojmë më tej luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sërish vëmendje do tu kushtohet Investimeve në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë tepër të rëndësishëm si arsimi dhe shëndetësia.
Sipas kryerepublikanit Mediu një tjetër sfidë e rëndësishme mbetet anëtarësimi në BE. Ai premtoi se brenda vitit të para të mandatit të dytë qeverisës, shqiptarët do të lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian.
Leskaj takime në Shushicë, Elbasan
Kandidatja për deputete e socialistëve për qarkun e Elbasanit, Valentina Leskaj pati një takim me banorë të fshatit Shushicë të këtij qarku.
Valentina Leskaj: “Dua t’ju them sot miqtë e mi se unë sot jam më e sigurt se kurrë se në 28 qershor ne do kthejmë një faqe të historisë, se në 28 qershor ne jemi fituesit dhe do të bëjmë qeverisjen e re, qeverisjen që meriton qeveria dhe çdo shqiptar dhe shqiptare.”
Spahiu vijon turin elektoral në Burrel
Në vijim të turit të tij elektoral kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahiu pati disa takime në qytetin e Burrelit. Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputet Spahiu tha se 28 qershori do të jetë dita kur Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të fitojnë për meritë të qeverisjes dhe premtimeve të realizuara.
Ekrem Spahiu: “Ne do të fitojmë më 28 qershor sepse do të votojnë të gjithë mbretërorët e rrethit të Matit. Ne do të fitojmë më 28 qershor sepse Partia Lëvizja e Legalitetit ka aleat Partinë Demokratike dhe kryeministrin Sali Berisha.”
Blushi takime me simpatiozanë në fshatin Kuç të Korçës
Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun Korçës Ben Blushi zhvilloi disa takime me simpatiozanë në fshatin Kuç të Korçës, duke u ndalur te papunësia Blushi tha se punësimi i të rinjve do të jetë prioritar në programin e Partisë Socialiste.
Ben Blushi: “Shqipëria do ndryshojë miqtë e mi ditën kur fëmijët tanë nuk do rriten me idenë ër ta braktisur vendin. Në qoftë se emigracioni vazhdon të jetë një plagë dhe çdo njeri i aftë për punë mendon se si të iki të nxjerrë një punë jashtë po jo në vendin e vet. Në qoftë se kjo plagë kombëtare vazhdon ne do të vazhdojmë të jetojmë keq. E vetmja mundësi që kemi është të hapim fronte pune në fshat dhe në qytet, të ndryshojmë cilësinë e shkollave tona, të ndryshojmë arsimin, t’i japim të rinjve punë në mënyrë që njerëzit të mos ikin nga Shqipëria. Të mos rriten me mendimin se Shqipëria është një vend që duhet të braktiset.”
Xhuveli takim me strukturat elektorale Durrës
Kryetari i Partisë Agrare Ambinetaliste Lufter Xhuveli, zhvilloi një takim me strukturat elektorale të kësaj force në qarkun e Durrësit. Sipas Xhuvelit programi elektoral i Ambientalistëve e gjejnë veten grupime të ndryshme shoqërore ndaj rezultati do të jetë i sigurt.
Lufter Xhuveli: “Ne kemi të drejtën morale që të kërkojmë që të votohemi nga qytetarët shqiptar kudo edhe në qytetin e Durrësit, në veçanti për këto arritje që kemi deri tani në këto 4 vjet, por sidomos për programin tonë dhe në mënyrë të veçantë programi i Partisë Agrare Ambinetaliste.” …/tvklan.al