Tryeza e presidentit rrezikon të dështojë pa u mbledhur ende. Vetë socialistët e cilësojnë qëndrimin e kryetarit të tyre si të gabuar dhe e fajësojnë atë se po prish tryezën e kreut të republikës.

Deputetet Kastriot Islami dhe Arben Malaj në prononcimet e tyre për gazetën “Koha Jonë” janë shprehur se i vetmi shans për zgjidhjen e ngërçit politik është që palët të manifestojnë vullnet për një gjë të tillë.

Për deputetin Malaj, çdo zgjidhje që do të vijë nga ky dialog do të jetë shterpë nëse nuk ndiqet rruga e institucioneve. Ndërsa për Kastriot Islamin, rasti më i rëndë do të ishte që PS nuk do të futet në Kuvend as për të bërë betimin dhe ngërçit aktual i shtohej sipas tij komplikimi politiko-kushtetues, për mandatin e çdo deputeti.

Sipas Islamit në skemën e mos gjetjes së zgjidhjes nga presidenti me asistencë të faktorit ndërkombëtar do të vihej maksimalisht në dyshim çështja e liberalizimit të vizave. Ai deklaron se nisur nga vullnetet e shprehura nga sjelljet, kërkesat dhe qëndrimet e palëve numri i zgjidhjeve duket i kufizuar.

Islami shprehet se presionet e Ramës, nuk janë një mekanizëm që e çon drejt zgjidhjes tryezën e presidentit. Ai gjithashtu jep dhe disa variante për zgjidhjen e ngërçit.

Dy deputetët socialist akuzojnë Ramën se po radikalizon Partinë Socialiste. Ndërsa shpreh se do të ndjekin rrugën e institucioneve, pra do të bëjnë opozitë parlamentare.

Kriza në datën 4 Mars mund të bëhet e pakthyeshme sipas Islamit dhe Malajt dhe nëse qasja legaliste bëhet mbi qasjen moraliste, nëse aplikohet çështja e zëvendësimit ata shprehen se janë legalist dhe do të zbatojnë kushtetutën, pasi në momentin që do të bënin të kundërtën nuk do të ishin më në politikë./tvklan.al