Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ish-presidenti Rexhep Mejdani ka marrë pjesë për herë të parë në fushatën elektorale për zgjedhjet vendore. Ai ka zgjedhur Elbasanin për të dhënë mesazhin e tij për këto zgjedhje. Mejdani ka shprehur besimin në fitoren e kandidatit të PS.

Rexhep Mejdani:- “Nuk është vetëm Edi Rama model i ndryshimit, ai është një nga heronjtë e ndryshimit, por ka dhe një hero tjetër dhe ky është Hysen Domi”.

Qeveria nuk duhet të cenojë pronën private. Republikanët kanë premtuar në Elbasan gjatë prezantimit të kandidatit të përbashkët me PD, se do të kërkojnë me ngulm në parlament, zgjidhjen e çështjes së pronave.

Fatmir Mediu:- “Unë ju ftoj ju, votoni për Partinë Republikane, votoni për PR si parti e vlerave. Mesazhi ynë se “Shqipëria fillon nga familja jote” është mesazhi për të gjykuar për fëmijët tanë, për prindërit tanë, për vendin tonë. Unë ju ftoj ju, që ditën e zgjedhjeve të votoni kandidatin e përbashkët, por të votoni njëkohësisht edhe Partinë Republikane”.

Kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Shqiptar Teodor Laço, zhvilloi një takim elektoral në rrethin e Gramshit, në mbështetje të kandidatit të koalicionit të djathtë.

Teodor Laço:- “Siç dihet, në 6 vjet të qeverisjes së tyre, qendrore dhe lokale, në disa nga fushat kryesore, që janë të domosdoshme për jetën e individit, socialistët kanë dështuar”.

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia, ka prezantuar kandidatët për zgjedhjet lokale në jug të vendit, konkretisht në Tepelenë dhe Memaliaj. Vlora ka qenë stacioni elektoral i Partisë së Ballit Kombëtar, duke prezantuar kandidatin e përbashkët me PD, kryetari i partisë Shpëtim Rroqi u shpreh:

Shpëtim Rroqi:- “Ora e fitores po troket, bashkë dhe vetëm bashkë, ne do të ndryshojmë Vlorën dhe gjithë Shqipërinë”./tvklan.al