Një qese me sende të kundraligjshme është tentuar të futet në burgun e Fushë Krujës, që përmbante celularë, kokainë dhe sende të tjera.
Këto sende u tentua të futeshin nga një gardian i burgut, punonjësi i rolit bazë me iniciale H.Ç.
Ky punonjës, gjatë ndërrimit të turneve, hodhi në taracë një qese të zezë rreth 6 kilogramëshe.
Pas konstatimit, zona u rrethua. Brenda qeses u gjetën 22 celularë, karikues, kufje, 3 doza kokainë dhe 30 koka përshtatëse karikuesi nga Android në iPhone.
Ndërsa gardiani u arrestua në flagrancë.
Njoftimi zyrtar:
Në IEVP Fushë-Krujë, inteligjenca operative në sistemin e burgjeve ka parandaluar një tentativë për futjen e sendeve të ndaluara, konkretisht aparate celularë dhe lëndë narkotike, të cilat kishin si destinacion qelitë e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Punonjësi i rolit bazë, H.Ç., gjatë ndërrimit të shërbimeve, me veprime aktive ka hedhur një qese të zezë me peshë rreth 6 kg në një nga tarracat e regjimit të jashtëm, me synimin për t’i futur më pas në regjimin e brendshëm.
Menjëherë pas konstatimit të ngjarjes, zona është rrethuar dhe është siguruar vendi i ngjarjes për kryerjen e veprimeve të para hetimore. Janë njoftuar menjëherë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) dhe Policia e Fushë-Krujës. Pas mbërritjes së autoriteteve përkatëse, pakot janë hapur dhe brenda tyre janë gjetur:
– 22 celularë me aksesorët përkatës (karikues, kufje)
– 3 doza kokainë
– 30 koka përshtatëse karikuesi nga Android në iPhone
Pakot janë gjetur të hedhura në tarracën sipër depos së armatimit, pranë depozitës së gazit dhe nën Vendrojën Nr.1.
Lidhur me këtë ngjarje, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e juridiksionit përkatës, po kryejnë veprime hetimore me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave dhe autorëve të tjerë të mundshëm.
Si rezultat i hetimeve të deritanishme, punonjësi i rolit bazë, H.Ç., është arrestuar në flagrancë për veprat penale “Futja e sendeve të ndaluara në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim”.
Ky rast konfirmon edhe një herë vigjilencën e inteligjencës operative në burgjet shqiptare, e cila vijon të luajë një rol kyç në parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
/tvklan.al