Më 6 tetor, “Shihemi në Gjyq” prezantoi konfliktin mes Hilës dhe Gjonit. Hila i kishte dhënë një shumë parash Gjonit, i cili nuk ia kthente prej vitesh. Duke qenë se Gjoni ishte pronar i një godine, Hila kishte zaptuar një hyrje aty. Por njësoj si ai, kanë vepruar edhe 30 familje të tjera të cilat janë në konflikt me Gjonin.

Njëri prej tyre, Noci ka ardhur të përballet me Gjonin në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Të pranishëm në studio janë edhe tre përfaqësues nga familje të tjera që po ndjekin zhvillimin e situatës.

Në nisje të pjesës së dytë të rubrikës, ndërmjetësja Eni Çobani nis të shpjegojë se në ç’pikë kanë arritur gjërat pasi deri më tani palët vetëm kanë fajësuar njëra-tjetrën pa lënë hapësira për qartësim. Por sapo ndërmjetësja merr fjalën, drejt saj ‘vërshojnë’ dokumente të reja prej palëve.

Gjon: Kam këtë procesverbalin që ke lexuar emrat te emisioni atë ditë, ja ku e ke me firmat e të gjitha të nxjerra nga bashkia se kjo figuron në bashki.

Eni Çobani: Po, atëherë, të lutem edhe njëherë…

Gjon: Mos u merr me mashtrimet e…

Noc: Znj. Eni, dua të të sjell një dokument shumë të rëndësishëm. Nga verifikimi i hartave të vjetra rezulton se nuk paraqitet konturi i familjes së tij, të pronës për… VKM 747, data 09/11/2006, në asnjë dokument të paraqitur nga subjekti dhe atyre të mbledhur nga zyra rajonare e AKEP Shkodër, nuk rezulton se ka dhe se është fituar kjo pronë nga i ndjeri Binak Pjetra.

Eni Çobani: E kujt viti është kjo?

Noc: E 2016.

Ndërsa Eni Çobani risjell në vëmendje sesi ka ndryshuar situata, ndërpritet nga Gjoni që vjen me një tjetër dokument.

Gjon: Kemi dokumentin tjetër, është me tri gjykatat, e parë, e dytë, e treta, ky nuk është djegur,  figuron në Gjykatë të Lartë e mundesh ta verifikosh.

Pala akuzuese thotë se familja Shkëmbi që ka fituar pronësinë nuk ka origjinë prone. Gjyqet e bëjnë Gjonin pronar të truallit dhe godinës, por nuk ka pasur palë banorët.

Eni Çobani: Paulin Zadeja ka thënë për palën Mark Shkëmbi janë regjistruar në zyrën e hipotekës, praktikat mbi të cilat janë bërë këto regjistrime mungojnë në arkivën e zyrës. Pra, ti nuk ke dokumenta në hipotekë o zotëri, si e ke regjstruar këtë pronë?

Gjon: Me vulë elektronike./tvklan.al