Do të duhet të presim edhe disa vite që të shohim sërish një finale të Champions League në Itali. Pas Milanos, ishte Roma që hoqi dorë nga kandidatura për finalen e vitit 2027. Kjo është konfirmuar nga UEFA, e cila ka pranuar dy propozime, nga Azerbajxhani dhe Spanja.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin Olimpik të Bakut ose stadiumin Metropolitano në Madrid. Propozimet dorëzohen deri më 19 Mars, me një vendim se kush do të presë finalen e planifikuar të merret në Maj.
Kërkimi për një vend të ri u hap pasi komiteti ekzekutiv i UEFA-s vendosi të mos caktojë finalen në stadiumin e famshëm “San Siro” të Milanos. Baku ka qEnë shtëpia e finales së Europa League mes Chelsea dhe Arsenal në vitin 2019, teksa më vonë priti edhe sfida të ndeshjeve të kampionatit Europian 2020.
Stadiumi “Metropolitano” impiant ku luan edhe Atletiko e Madridit ka pritur më parë finalen e Ligës së Kampionëve, në vitin 2019 kur Liverpool mundi Tottenhamin 2-0. UEFA gjithashtu njoftoi se ka katër ofertues të interesuar për finalen e Ligës së Kampionëve për femra në vitin 2027: Polonia (Varshavë); Spanja (Barcelona), Zvicra (Basel) dhe Uellsi (Cardiff).
Klan News