Veliaj: I jep zgjidhje një nga zonave më të ngarkuara
Parkimi nëntokësor tek Rruga e Elbasanit nga e hëna do të jetë në funksion të qytetarëve. Përfundimi i punimeve u inspektua nga kryebashkiaku Veliaj i cili theksoi se ky investim i jep zgjidhje parkimit në një nga zonat më të ngarkuara të kryeqytetit.
“Një nga nyjet më të ngarkuara të Tiranës, gjejnë shpëtim përfundimtar për çështjen e parkimit, duke frekuentuar parkimin e 4-rt nëntokësor që hapim në 4 vjet në qytetin e Tiranës…145 vende parkimi në këtë hapësirë publike, e marrë nga privati dhe e rimarrë për publikun, me parking poshtë dhe hapësirë për njerëzit, sidomos me një kënd lojërash për fëmijët, është ndoshta metafora më e bukur se çfarë vlerash besojmë ne si bashki”.
Ndërtimi i parkimeve nëntokësore, sipas kryebashkiakut, do të jetë zgjidhja që do të ofrojë Tirana për automjetet.
“Shumë shpejt, Këshilli Bashkiak i Tiranës do të rimarrë një tokë dhe do të bëjë një shkëmbim me një tokë që është në hyrje të Parkut të Liqenit, midis Gardës dhe Universitetit, ku do të konceptojmë një tjetër parkim nëntokësor, që do t’i shërbejë të gjithë atyre që frekuentojnë Parkun e Liqenit. Po kështu, edhe në Qytetin Studenti dhe në disa hapësira të tjera kemi identifikuar mundësinë për parkingje nëntokësore”.
Për banorët e kësaj zone tarifat e parkimit do të jenë të reduktuara, ndërsa të ardhurat e mbledhura nga parkimi do të shkojnë për mbjelljen e pemëve.
Tv Klan