Dy ditë më parë, Radio Televizioni i Kosovës, raportoi se ndaj Kryeministrit Albin Kurti ka pasur plan për atentat gjatë qëndrimit të tij në Shkup. Por kjo është hedhur poshtë nga gazetari i “Albanian Post”, Lirim Mehmetaj. Në një lidhje live për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Mehmetaj tha se RTK-ja nuk ka burim dhe se “Kurti ka qenë i rrezikuar nga një atentat aq sa Don Kishoti nga mullinjtë e erës”.


Blendi Fevziu: Në çfarë rrethanash është dhënë lajmi dhe cili është burimi i lajmit?

Lirim Mehmetaj: E para e punës nuk ka burim.

Blendi Fevziu: Jo ka burim sepse është RTK?

Lirim Mehmetaj: RTK nuk ka burim. RTK nuk i referohet asnjë burimi.

Blendi Fevziu: Në ç’rrethana është dhënë lajmi?

Lirim Mehmetaj: Ja tani ta tregoj. Kurti ka qenë i rrezikuar nga një atentat aq sa Don Kishoti nga mullinjtë e erës.

Gazetari tha më tej se ky lajm është ‘fake news’ dhe se plani për atentatin e pretenduar nuk janë konfirmuar nga asnjë institucion.

“Nuk ka pasur tentim për atentat, nuk ka pasur plan për tentim për atentat, e kemi konfirmimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë që nuk ka pasur. E kemi zëdhënësin e qeverisë së RMV që nuk ka pasur kurrfarë atentati. Arsyeja pse prokuroria nuk ka filluar hetimet është që sipas ligjit institucionet e sigurisë duhet ta njoftojnë prokurorinë se ka pasur diçka të tillë dhe prokuroria të nisë hetimet. Ta kesh parasysh nuk ka pasur parasysh serioz, nuk ka pasur një lajm që plotëson kushtet bazike të lajmit. Është ‘fake news’, është sikur të publikojë Pamfleti në Shqipëri dhe të fillojë prokuroria hetimet. As Garda e mbrojtjes së sigurisë së Kurtit nuk e ka njoftuar prokurorinë se ka diçka serioze. As vetë Kurti nuk e ka konfirmuar se ka diçka serioze”, u shpreh Mehmetaj./tvklan.al