Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Votat pro dy ministrave të kabinetit qeveritar, ishte kërkesa e kryeministrit Fatos Nano, gjatë takimit që pati me kryetarin e Partisë Demokrate të Re Genc Pollo, gjë që e plotësoi vetëm njëri prej deputetëve të PDR Qazim Tepshi. Ndaj këtij deputeti, sipas kryetarit të PDR Genc Pollo, do të mbahet qëndrim nga strukturat e partisë, por në një moment të caktuar.
Genc Pollo:- “Në rrethanat e votimit për dy ministrat e propozuar kjo lloj bisede, si dhe të tjerat nuk kanë pasur ndikim në votën tonë, e cila ka qenë e pozicionuar qysh kur hymë në parlament, si parti opozitare, pra votë kundërshtare për qeverinë dhe PS. Është zhgënjyese, që në një votim të rëndësishëm të ketë një votë që shkëputet nga qëndrimi politik i grupit, nga qëndrimi politik i partisë. Në traditën parlamentare, deputetët janë të lirë të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre dhe është më mirë, kur dikush e thotë hapur qëndrimin e tij, qoftë edhe të gabuar, sesa fshehja, apo mos ardhja në parlament siç ka ndodhur me deputetë të tjerë”.
Pollo i qëndron përsëri idesë së tij për rrëzimin e qeverisë Nano, me anë të një mocion mosbesimi, i cili siç tha ai, opozita është duke e përgatitur.
Genc Pollo:- “Po piqen kushtet, për të realizuar idenë që kemi lancuar dy muaj përpara, kur Ministri i Jashtëm u rrëzua në Kuvend, për të parë nëse kësaj radhe, kur po piqen kushtet po arrihen edhe numrat e duhur, sepse në fund të fundit janë numrat , që përcaktojnë rezultatin”.
Qeverisjen e vendit me anë të zv/ministrave, Pollo e ka quajtur absurde, të cilin e ka krahasuar me qeverisjen e diktatorit Enver Hoxha./tvklan.al