Lajme Arkiva 2003

Ky është Herkuli, por jo ai i zakonshmi që kemi njohur nga mitologjia greke. Një Herkul ndryshe vjen në pjesën e vënë në skenë nga regjisori Genti Bejko e cila po shfaqet këtë fundjavë në sallën e “Black Box” pranë Akademisë së Arteve. Kjo shfaqje vjen në kuadër të projektit të Fakultetit të Artit Skenik, i cili u ka dhënë mundësinë studentëve të tij të shfaqin punët e tyre edhe për publikun e gjerë.

Herkuli është sjellë në skenë kësaj here në formën e  një komedie, e cila mitet e dikurshme greke i risjell në jetë në formë personazhesh të zakonshëm, madje herë pas here edhe qesharak. Shfaqja ka si aktorë kryesor të saj studentët e sapo diplomuar të vitit të 4 në klasën e aktrimit dhe studentë të viteve të tjera në fakultetin e artit skenik.

Shfaqja është bërë mjaft interesante për publikun pasi në të janë ndërthurur fenomene të këndshme të realitetit të përditshëm shqiptar. Kjo tregon më së miri punën e mirë që bëhet nga studentët e artit skenik të cilët konkurrojnë denjësisht shfaqjet e trupave profesioniste duke ngjallur interesin e publikut./tvklan.al