Programi që ju zgjon çdo mëngjes në Televizionin Klan, “Aldo Morning Show” feston 25-vjetorin. Emisioni i mëngjesit, një nga më jetëgjatët e formatit të tij, ka një çerek shekulli që mirëpret telefonatat në studio nga shikuesit e dëgjuesit jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufijve.

Intervistat me të ftuar, lidhjet direkte me korrespondentë nga qytete të ndryshme por edhe jashtë vendit, tema të përditshme që trajtojnë probleme por edhe argëtojnë, kanë shoqëruar publikun në emisionin e përditshëm të mëngjesit.

Nga e hëna në të shtunë, tashmë prej orës 06:59-09:00, mëngjesi nis plot energji në programin e parë të ditës të Televizionit Klan ku moderatori Aldon Lipe mirëpret këdo që të bëhet pjesë.

Në 25 vite, nuk kanë munguar as risitë. Në vitin 2022, programi prezantoi rubrika të reja ndërsa shtoi edhe konceptin e video-telefonatave ku dëgjuesit mund të shfaqeshin edhe me imazh nëse dëshironin. Jo vetëm kaq, por shumë prej tyre u bënë pjesë edhe përmes rrëfimit të historive personale.

Viti 2023 solli një tjetër risi që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në ekranet shqiptare: studion lëvizëse. Studioja tradicionale e “Aldo Morning Show” ia la vendin një automjeti transparent që lëviz nëpër kryeqytet, por hera-herës edhe në qytete të tjera teksa të ftuarit shijojnë një bisedë të realizuar ndryshe.

Të gjitha këto nuk do të mungojnë gjatë në ekranin e Televizionit Klan. “Aldo Morning Show” do të rikthehet më 2 shtator, si gjithnjë nën moderimin e Aldon Lipes. Orari mbetet gjithnjë i njëjti: 7 pa 1 minutë./tvklan.al