Jaho Xhebro nga “Bujtina Hadër Xhebro”, në fshatin Nivicë të Tepelenës i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka treguar historikun e nisjes dhe zhvillimit të biznesit të tyre.
Xhebro ndryshe nga të ftuarit e tjerë në studio u shpreh se nuk është larguar nga Shqipëria asnjëherë, por vit pas viti e ka zhvilluar biznesin e tyre.
Jaho Xhebro: Unë jam krejt i kundërti i këtyre nuk kam qenë në emigracion. Ne kemi që në ‘91 që jemi marrë, me përpunimin e qumështit. Kemi hapur një baxho në Nivicë. Punuam duke grumbulluar qumështin e zonës, qoftë të zonës sonë, qoftë edhe të zonës së Vlorës.
Blendi Fevziu: Po mir nuk u braktis fshati në vitet ‘90?
Jaho Xhebro: U braktis. Unë qëndrova aty me byrazerin tim që ka ndërruar jetë. Punuam, hapëm baxhon dhe me kalimin e kohës nevoja na detyroi që të hapim një baxho në mal, 5 km nga Nivica për t’u ardhur në ndihmë edhe barinjve edhe puna e interesit që qumështi të vinte më i freskët.
Blendi Fevziu: Në punë nga mëngjesi në dark ee?
Jaho Xhebro: Po po. Çoheshim në 5 të mëngjesit dhe flinim në 3 të mesnatës. Bulmeti sa i bardhë është, aq i zi bëhet. Punonim nga 20 Maji deri ne 15 Gusht dhe më lindi ideja e bërjes së dhomave. Bujtinën e filluam në 2018 për ta rindërtuar ku kam marrë edhe një fond. Ndërtuam një bujtinë të vogël, 8 dhoma dhe sot e kemi funksionale.
Ndër të tjera teksa tregonte prodhimet e bulmetit Jaho Xhebro i bëri edhe një dhuratë të veçantë gazetarit Blendi Fevziu. Babai i tij një fans i emisionit “Opinion” i kishte lënë një amanet të birit për Fevziun.
Jaho Xhebro: Kjo ka një histori të veçantë, por gabimi im se i kam hequr mbishkrimin. Këtë raki e ka nxjerrë babi im që ka ndërruar jetë para dy vitesh, 101 vjeç dhe e ka pasur enkas për juve. Ma ka lënë amanet dhe nëse do të vijë në Nivicë do ja dhurosh, ‘nëse s’do të kem mundësi unë të jem gjallë kur të kesh mundësi do ja çosh’. Edhe e kisha si detyrim. Kishte mbishkrimin, por punë e grave e ke parasysh. E kishte shkruar me dorën e tij për Blendi Fevziun, sepse ishte një fans i flaktë i emisionit “Opinion” dhe e kishim problem se na merrte pultin dhe nuk na lejonte të shikonim asnjë sport.
Blendi Fevziu: Unë tani rakinë po e marr dhe do ta vendos këtu. Këtë nuk do ta konsumoj do ta mbaj te reliket në zyrë.
Jaho Xhebro: Është raki mbi 8-vjeçare.
Blendi Fevziu: Do ta mbaj te reliket, por duhet të ma kishe sjellë edhe shkrimin e babait sepse qenka shumë e rrallë.
Jaho Xhebro tregon se turistët janë shqiptarë dhe të huaj nga shumë vende të botës.
/tvklan.al