Olsi Melko vendosi të shkonte në vitin ’91 në Kretë si të gjithë emigrantët për t’u rikthyer dhe të ndërtonte një shtëpi që më vonë do të kthehej në një agroturizëm.  Në  emisionin “Opinion” në Tv Klan ai tregon sesi nisi ndërtimi i “Vilës Melko” në Boboshticë në vitin 2001 kur nuk ishte aspak e lehtë. Sot ai është krenar që e quan biznesin e tij si një nga “dallëndyshet e para” të turizmit në zonë.

Blendi Fevziu: Si nise?

Olsi Melko: Edhe ne kurbetlinj.

Blendi Fevziu: Ku ishe?

Olsi Melko: Në Kretë kam qenë. Si gjithë djemtë e rinj, kam shkuar në Kretë.

Blendi Fevziu: Ike që në ’90?

Olsi Melko: Ika në ’91. Diku në ’98-99 pata një problem alergjik dhe fillova ndërtova një shtëpi si gjithë shqiptarët.

Blendi Fevziu: Po në Kretë çfarë pune bëje?

Olsi Melko: Me ndërtim merresha në Kretë. Si gjithë shqiptarët dëshira e madhe që të kishim një shtëpi dhe unë erdha ndërtova një shtëpi në Korçë, në Boboshticë.

Blendi Fevziu: Domethënë, gjithë lekët e emigracionit i bëre shtëpi në Boboshticë, po.

Olsi Melko: Pa më vonë, duke parë nevojat e lëvizjet, filluan këto mendimet.

Blendi Fevziu: Kur e ndërtove shtëpinë?

Olsi Melko: Në ‘99 e filluam dhe më 15 gusht 2001 e hapëm si biznes.

Blendi Fevziu: Në atë kohë edhe rruga për të ardhur në Korçë ishte e vështirë.

Olsi Melko: Mos e pyet, ishte e vështirë, rrugë vere, shumë probleme. Megjithatë me kurajën e madhe, e nisëm.

Blendi Fevziu: Çfarë bëje, lakror?

Olsi Melko: E  nisëm me mishin e pjekur, lakrorin, me të gjitha këto.

Blendi Fevziu: Ti e ndave mendjen që s’doje të shkoje më në Kretë.

Olsi Melko: Nuk doja më dhe vazhduam në Boboshticë. Rrugë e gjatë patjetër, me shumë sfida e vështirësi, por edhe suksese nuk diskutohet.

Blendi Fevziu: Domethënë ti ke 23  vjet.

Olsi Melko: Po, mund të them që “Vila Melko” është nga dalllëndyshet e para të turizmit në qarkun e Korçës.

Olsi Melko shton se sot ka edhe 8 dhoma për të akomoduar turistët. Produktet janë plotësisht të zonës ndërsa kanë edhe dele e lopë prej të cilave sigurojnë një pjesë të prodhimeve./tvklan.al