Pas katër vitesh mungesë, rikthehet “Gjeniu i vogël”, një spektakël, ku zbulohen talentet më të rinj të këngës.

Televizioni Klan dhe promotorë do të sjellin për teleshikuesit një spektakël me një format krejt të ri, pasi stafi i Gjeniut të vogël do të zhvilloje audicione në disa prej qyteteve më të rëndësishme në vend, nga ku do të përzgjidhen fëmijët më të talentuar nga mosha 7 deri në 16 vjeç.

Pandi Laço: “Unë jam një nga ish fëmijët e Gjeniut me Oltën dhe po i shpjegoja disi si do të funksionojë spektakli i sivjetshëm. Olta dikur fëmijë, sot do të jetë pjesë e këtij projekti. Do të marrë pjesë me ne nëpër audicionet ku do të shkojmë në të gjitha qytetet dhe është garancia më e mirë se çfarë ndodh me këta fëmijë, dmth. Adi ka shkruar muzikë për Oltën. Unë kam pasur fatin të shkruaj tekstet e këngës dhe Olta ka përshkuar deri në festival, deri në festivalin evropian.”

Olta Boka: “ Për mua është një kënaqësi shumë e madhe të rikthehem 6 viteve më përpara, kohë kur edicioni i parë i Gjeniut çeli siparin normalisht dhe ku unë isha pjesë e atij edicioni të parë. Normalisht ishte një emision dhe një spektakël i cili më mësoi shumë gjëra, si të me komportohesha me kamerën, si të mësohesha me përdorimin e mikrofonit, ashtu edhe sikurse të mposhtja gjithë atë frikën kundrejt publikut dhe duke qenë mendoj se ne të gjithë ata që kemi qenë në këto dy edicione mendoj se jemi shembulli më i mirë për t’i dhënë kurajën dhe guximin gjithë talenteve të reja që besojnë tek vetja e tyre.”

Adi Hila: “Do të jetë një kompeticion shumë interesant, ku talentet do të jenë absolutisht pjesë e skenës dhe do të jenë të zotët e skenës dhe do të shikojmë surpriza shumë të këndshme me një format totalisht ndryshe nga dy edicionet e para me një gjithëpërfshirje të fëmijëve”.

Sipas organizatoreve pritet të jetë një kompeticion i fortë dhe me shumë spektakël.

Adi Hila: “Është kënaqësi e madhe të punosh me fëmijët, unë kam pasur eksperienca shumë të mira me fëmijë të cilët kam punuar kur kanë qenë në moshën 10 vjeç dhe me fëmijë të cilët kanë mbërritur deri në skenat e Eurovizionit. Për më tepër që do të thoja që do të ketë dhe artist shuam të njohur të skenës shqiptare që do të punojnë me këta fëmijë.”

Pandi Laço: “Do të synohet shumë drejt spektaklit”.

Këtë herë promotor ka ftuar si pjesë të stafit edhe dy këngëtare të reja shqiptare, Anjeza Shahinin dhe Olta Bokën, që kanë nisur karrierën e tyre muzikore në spektakle talentesh të rinj.

Anjeza Shahini: “Ishte një ftesë shumë e bukur që më është bërë, nuk më është dashur shumë të mendohem. Vetë promotorët na kanë dhënë gjithmonë gjëra të bukura dhe unë mendoj që edhe kjo do të jetë edhe më e bukur se gjithë të tjerat do të jetë një show shumë i bukur, do të jetë një projekt shumë interesant me të gjitha ato projektet që lexova dhe që më thanë. Mendoj që do jetë një spektakël që do të na dhurojë shumë kënaqësi. Kjo për vetë faktin se do të jenë talente të reja që do të vijnë, do të dali një gjeni, na duhen këta gjeni në skenën shqiptare.”

Audicionet për përzgjedhjen e talenteve të “Gjeniut të vogël” do të nisin të hënën ne Elbasan, me pas vijojnë në Vlorë, Shkodër, Korçë e do të mbyllen në Tiranë.

Talentet më të mirë do të konkurrojnë më pas në spektaklin e madh “Gjeniu i vogël”./tvklan.al