Vetëm pak na ndan nga gjysmëfinalja e parë e Festivalit të 11-të “Kënga Magjike”. Këto momente tregojnë provat gjenerale në Pallatin e Kongreseve ku gjithçka është gati për të pritur këtë mbrëmje një shfaqje me Sh të madhe.
Janë plot 46 këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare që pas prezantimit në spektaklin” E diela Shqiptare” do të sjellin për publikun mbarëshqiptar këndej e andej kufijve 46 këngë të reja, që ngërthejnë të gjitha rrymat e muzikës së kohës.
Sidrit Bejleri: “Erdhi ora që të marr pjesë edhe unë në Këngën Magjike dhe të them të vërtetën deri tani jam shumë i kënaqur, rëndësi ka që kënga të pëlqehet, kënga të ngeli si me thënë në popull.”
Soni Malaj: “Ngaqë kam konkurruar dhe e fundit, javën e fundit po shpresoj që njerëzit at pëlqejnë këngën dhe publiku në përgjithësi ta përthithi më shpejt këngën time sepse është ajo sa do e mësojnë sa do familjarizohen me këngën time për të dhënë tamam atë opinion e tyre real.”
Olta Boka: “Duke qenë se kam dhënë më të mirën, shpresoj të marr diçka të mirë, por ajo që me të vërtetë më intereson shumë është nëse unë arrij të pëlqehem nga publiku.”
Mira Konçi: “Thjesht dëshira për këngën, kjo më ka rikthyer dmth dhe pres që të pëlqehet kënga. Ky është synimi asgjë tjetër. Dëshira për të qenë ën skenë, dëshira për të kënduar gjithmonë, kjo është arsyeja e rikthimit.”
Kejsi Tola: “Do të ishte kënaqësi shumë e madhe në qoftë se do të merrja edhe një çmim. Absolutisht është dhe hera ime e parë në Këngën Magjike, eksperiencë e re dhe ndryshe nag të gjitha ato që kam pasur deri tani,
Adelina Ismaili: “Fiks para 10 vitesh unë te Kënga Magjike mbarova me festivalet, fiks pas 10 vitesh unë po kthehem te Kënga Magjike me festivalet. Ka kohë që kam mbartur aktivitetet e mia muzikore jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Është në interesin tim që të prezantoj një këngë, besoj e bukur nga gjykimet që kam marrë deri tash.”
Por, ajo që gjithnjë kërkojmë është magjia e re e festivalit, koncepti i ri i tij, me qëllimin e vetëm për të mbërthyer si spektatorin edhe teleshikuesit pas ekranit.
Aldon Lipe: “Si në çdo festival edhe te Kënga Magjike e këtij viti, bukuria më e madhe dhe atmosfera më e bukur sigurisht janë këngët, të cilat janë të papara, sidomos ky edicion. Parashikohet që ketë më tepër se sa garë ka për të qenë një lloj show dhe për këtë ju garantojmë.”
Si gjithnjë transmetimi direkt në Tv Klan, dhe përtej kufijve ne Kosove, e Maqedoni do të bëhet përmes kamerave të kudondodhura një regjie televizive të drejtuar nga regjisorët nga Kosova Agron Vulaj dhe Astrit Idrizi. Skenografia dhe ndriçimi mban firmën e mjeshtrave italiane Gaetanno Kasteli dhe Franko Ferrari.
Franco Ferrari: “Këtë vit publiku do të surprizohet shumë, pasi do të jetë një skenografi shumë shumë e mistershme dhe po aq e bukur… Që do të jetë një risi e madhe. Kështu dritat, do t’i përshtaten kësaj skenografie dhe besoj se publiku do të kënaqet. Por, unë po e lë surprizë, që ata ta shohin pikërisht në natën e parë.”
S’na mbetet tjetër veç të presim të trokasë ora e Festivalit Kënga Magjike për të shijuar surprizat një pas një deri në finalen e ndarjes së çmimeve./tvklan.al Gazetare: Irma Toptani