Pas humbjes me Çekinë, Kombëtarja shqiptare do të kërkojë të rikthehet te fitorja dhe të hënën ka një transfertë delikate ndaj Gjeorgjisë.

Në Tbilisi do të luhet sfida e raundit të katërt në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë e Silvinjos duan një lloj hakmarrje pas humbjes një muaj me parë nga gjeorgjianët në Tiranë.

Një ndeshje e rëndësishme për të dy kombëtaret, me UEFA-n që ka vendosur t’ia besojë drejtësinë arbitrave holandezë.

Gjyqtar kryesor do të jetë një emër i njohur si Danny Makkelie, ndërsa asistentë të tij në fushë do të jenë Hessel Steegstra dhe Jan de Vries. Arbitër i katërt është zgjedhur Allard Lindhout.

Në VAR, do të jenë dy holandezë të tjerë, Rob Dieperink dhe Erwin Blank. Ndeshja Gjeorgji-Shqipëri, do të luhet të hënën e 14 Tetorit në orën 18:00 dhe transmetohet ekskluzivisht në ekranin e Tv Klan.

/tvklan.al