Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Forumi Rinor Eurosocialist do të ketë vetëm një kandidat për postin e kryetarit, drejtuesin aktual Gjergj Koja. Kjo është vendosur në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues të Eurosocialistëve, të cilët janë mbledhur dy ditë para kongresit, për të përcaktuar edhe rendin e ditës.

Në kongresin që do të vazhdojë punimet për dy ditë me radhë, do të miratohen dhe disa ndryshime në statutin e forumit, si dhe do të prezantohen objektivat e të rinjve eurosocialistë për zgjedhjet e ardhshme vendore. Sipas kryetarit eurosocialist Gjergj Koja është rënë dakord dhe me drejtuesit e PS, që eurosocialistët të paraqiten në zgjedhjet e ardhshme vendore me kandidaturat e tyre.

Gjergji Koja:- “Qoftë për kandidatë për kryetar bashkish apo komunash, qoftë edhe për anëtarë të këshillave bashkiak dhe komunal, që do të organizohen dhe të konstituoen pas këtyre zgjedhjeve. Gjetëm një mirëkuptim mjaft të mirë dhe muajt në vazhdim, besoj do të shërbejnë për të konkretizuar këto marrëveshje dhe këtë mirëkuptim dhe harmoni midis degëve të FRESH-it dhe PS, në këto rrethe”.

Kongresi i eurosocialistëve është cilësuar nga kryetari Gjergji Koja, si një ngritje e temperaturës paraelektorale, në favor të mazhorancës socialiste./tvklan.al