Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i FRESH Gjergj Koja i ka kërkuar Ministrit të Arsimit Luan Memushi, që në muajin Shtator dhe Tetor të fillojë aplikimi i hapave të parë të procesit të liberalizimit të arsimit të lartë. Në një dalje të fundit përpara mediave, deri në kongresin e 3 Majit, kryetari i të rinjve eurosocialist tha, se megjithëse nuk pretendohet liberalizimi i plotë i universiteteve shqiptare, ky proces duhet të nisë këtë vit në një pjesë të tyre.

Gjergji Koja:- “Ne kërkojmë, që deri në këtë Shtator, të bëhet i mundur zbatimi i atij programi, që u vendos edhe në mbledhjen e qeverisë, përsa i përket liberalizimit të universiteteve, çka do të thotë të bëhet e mundur të ekzekutohen ndryshimet përkatëse ose amendimet në ligjin për arsimin e lartë, pasi që këtu fillon pengesa për liberalizimin e universiteteve dhe mandej, të ndërmerren një sërë hapash me shtimin e kuotave, që kanë të bëjnë me taksën e regjistrimit, që kanë të bëjnë me kartën e studentit dhe me heqjen graduale të konkurseve”.

Zoti Koja ka sqaruar se tashmë FRESH është në përgatitjet për organizimin e kongresit, në të cilin do të mbahen dhe zgjedhjet për forumet drejtuese të tij./tvklan.al