Çrregullimi i tregjeve të energjisë që shkaktoi rritja e naftës dhe gazit pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë detyroi vendet europiane të zhvillonin prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme për të shkëputur varësinë nga importet nga Rusia.
Një prej vendeve me varësinë më të madhe, sidomos nga gazi rus ishte Gjermania që e vuajti edhe më shumë ndërprerjen e importeve ruse, si pasojë edhe e sanksioneve ndëshkuese perëndimore ndaj Moskës.
Por tani Berlini duket se po ecën shumë shpejt drejt realizimit të objektivit që deri 80% të energjisë, ta gjenerojë nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2030.
Ligjet që lehtësojnë veçanërisht vendosjen masive të paneleve diellorë për prodhimin e energjisë kanë shtuar kërkesat pranë autoriteteve për subvencione.
Statistikat tregojnë se deri në muajin Prill të këtij viti, pati 10 mijë kërkesa nga banorët e Berlinit për të vendosur panele diellorë në tarraca e ballkone.
Disa shtete federale të Gjermanisë kanë kërkuar që 2% e sipërfaqes së tokës të lejohet të shfrytëzohet për ngritjen e turbinave të erës. Deri në 2035-ën synohet që 100% e energjisë të prodhohet nga burime të rinovueshme.
Tv Klan