Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj adresoi sot në një takim online Rekomandimet e Qeverisë në luftën kundër kriminalitetit drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm.

Gjonaj vuri theksin në 5 drejtimet kryesore si rekomandime të qeverisë në luftën kundër kriminalitetit, në lidhje me rritjen e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së prokurorit, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Ndër të tjera, Gjonaj rekomandoi një sërë problematikash, duke nënvizuar se pret nga institucioni i prokurorisë drejtësinë e re për të ashpërsuar më tej luftën ndaj krimit të organizuar dhe plotësimin e pritshmërive dhe eficencës në arritjen e rezulateve të reformës në drejtësi.

“Shqiptarët presin sot përgjigje të shpejta nga prokuroria, pa zvarritje dhe sorollatje, me muaj e me vite; presin që prokuroria të mos mbyllë sytë përpara veprave penale apo, akoma më keq, të bëhet palë me kriminelin, siç kemi vënë re në disa raste kohët e fundit; presin që prokuroria të mos pushojë a mosfillojë çështje në kundërshtim të hapur me ligjin dhe provat. Presin me pak fjalë drejtësinë e re”, apeloi ministrja e Drejtësisë.

Sa i përket pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së prokurorit, ajo tha se në krahasim me situatën e tre viteve më parë, institucioni i prokurorisë është futur në një shtrat të ri kushtetues dhe ligjor, që garanton emërime cilësore, karrierë transparente dhe meritokratike dhe pavarësinë e çdo prokuori në trajtimin dhe vendimmarrjen e çështjes.

“Tashmë, nderi dhe detyrimet janë tërësisht tuajat, janë tërësisht të çdo prokurori.  Shumë çka varet tashmë nga angazhimi, përkushtimi dhe profesionalizmi i gjithsecilit në kryerjen e kësaj detyre, që është njëkohësisht edhe një mission. Ka ardhur koha që pavarësia e secilit prokuror, thelbësore për një trajtim të pandikuar të cështjeve konkrete, të shoqërohet me më shumë proaktivitet, përgjegjësi dhe llogaridhënie të prokurorëve që është faqja tjetër e së njëjtës medalje”,
nënvizoi Gjonaj duke shtuar se:

“Pavarësia dhe paanshmëria janë jo vetëm një kërkesë bazë për ekzistencën e procesit penal, por ka një rol të rëndësishëm për gjithë sistemin e drejtësisë penale, pasi fillimi i hetimit dhe ndjekja në  tërësi e të gjithë procesit në zbatim rigoroz të legjislacionit me profesionalizëm dhe objektivitet ndikon në luftën kundër kriminalitetit dhe vënien përpara përgjegjësisë së autorëve të veprave penale. Ashtu siç thashë krijimi i SPAK përbën një gur themeli në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht korrupsionin e zyrtarëve të lartë, problematikë e cila përbën sfidën për progresin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Në këto kushte, me konstituimin dhe fillimin e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme, lind nevoja për konsolidimin e raportit ndërinstitucional me prokuroritë e rretheve, lidhur me identifikimin e kompetencës materiale, kalimin e kompetencës midis prokurorive, me synimin e garantimit të efektivitetit të hetimit dhe vënies përpara përgjegjësisë së autorëve të tyre”,
nënvizon Gjonaj.

fjalën e saj, theks kyç kishte lufta kundër korrupsionit. Ajo tha se mbetet një nga sfidat kryesore edhe për vitin 2020 për garantimin e pavarësisë së institucioneve dhe organeve publike, zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin shoqëror të Shqipërisë.

Gjonaj nënvizoi se finalizimi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian mund të arrihet vetëm duke vendosur një standard të lartë në luftën kundër korrupsionit.

Ajo bëri me dije se është rekomanduar forcimi i bashkëpunimit midis institucioneve ligjzbatuese dhe rritja e mëtejshme e bashkëpunimit me organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit, për të luftuar këtë fenomen kriminal.

“Në rekomandimet e adresuara është ritheksuar nevoja për bashkëpunim Prokurorisë së Posaçme me policinë e shtetit dhe OFL për zbatimin e objektit dhe qëllimin e ligjit për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda, si dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese rajonale dhe ndërkombëtare për veprat penale që lidhen sidomos me trafikimin e narkotikëve, pastrimit të parave, financimin e terrorizmit, trafikimin e qenieve njerëzore, etj”, tha ministrja e Drejtësisë duke bërë me dije se krijimi i një organi të ndjekjes penale të pavarur dhe të paanshëm është një nga parimet kryesore të një sistemi drejtësie efektiv dhe një parim thelbësor i procesit penal.

Rekomandimet nga Gjonaj u adresuan në prani të Prokurorit të përgjithshëm Çela, Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kraja, përfaqësuesve të OPDAT dhe drejtuesve të të gjitha prokurorive në vend./tvklan.al