Kolegji penal i Gjykatës së Lartë ka pushuar sot me vendim unanim çështjen penale ndaj ish Ministrit te Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Pas 5 ore shqyrtimi gjyqësor, kolegji deklaroi te mbyllur këtë gjykim duke i dhënë fund procesit ndaj  Mediut, i akuzuar për shpërdorim te detyrës.

Sipas kolegjit, ish-ministri Mediu është rizgjedhur deputet i legjislaturës se re, ndaj kjo rrethane nuk lejon vazhdimin e procedimit penal ne ngarkim te tij.

Avokati mbrojtës i ish-Ministrit te Mbrojtjes, tashme Ministër i Mjedisit, deklaroi se prokuroria tregoi paaftësinë e saj për t’u përballur me këtë çështje gjyqësore.

Ardian Visha: “Nuk do të dëshironim këtë zgjidhje të saj. Do dëshironim proces dhe përballje me prokurorinë, por për shkak të tunelit të paaftësisë së tyre erdhi deri këtu kjo çështje. Do të mund besoj të shmangej kjo duke mos dërguar këtë çështje në gjykim përsa kohë të bëheshin zgjedhjet e dyta parlamentare, dy, të zgjidheshin, kishte mjete procedurale ndoshta më parë duke tërhequr çështjen dhe u justifikua me ndonjë veprim procedural që në fazën e hetimit të mund të bënin kërkesën për heqjen e imunitetit.”

Gazetarja: Pra është faji i prokurorisë?

Ardian Visha: “Unë gjykoj që është paaftësi e prokurorisë rezultati”.

Ne Janar te këtij viti prokuroria e përgjithshme solli për gjykim një dosje voluminoze me 30 te pandehur mes tyre dhe ish ministri, Fatmir Mediu.

Tragjedia e Gërdecit uli ne një bankë akuze njerëz me dhe pa imunitet. Çështja u veçua dhe pjesa tjetër e te pandehurve gjykohen nga shkalla e pare e gjyqësorit, pasi vetëm Mediu ishte personi qe gëzonte imunitetet./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani