Mazhoranca paralajmëron ndërmarrjen e një referendumi popullor, pas vendimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese, që hodhi poshtë Ligjin për Pastërtinë e Figurës së Zyrtarëve të Lartë.

Në një konferencë për mediat, deputetja demokrate Mesila Doda tha, se vendimi i dhënë nga Kushtetuesja për të hedhur poshtë ligjin e ashtuquajtur të Dosjeve është akti më i rëndë në mbështetje të krimeve të njerëzimit, bërë gjatë 50-të viteve në sistemin totalitar.

Ajo shkon më tej kur thotë se vendimi i Kushtetueses është dhunim flagrante më vetë direktivat e Gjykatës së Strasburgut mbi konfliktin e trupave gjykuese.

Mesila Doda: “Së bashku me kolegë të tjerë nuk do të ngurojmë që të ndërmarrim nismën e një referendumi popullor, në mënyrë që xhelatët të mos qëndrojnë më në pushtet dhe që Shqipëria të ndahet një herë e përgjithmonë nga e kaluara e saj komuniste. Për të realizuar këtë, do të konsiderohen disa opsione. Së pari, paraqitja e një ligji të ri në Parlament për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar. Së dyti, dërgimi i këtij ligji në Gjykatën Evropianë të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.”

Ndërkaq opozita, nëpërmjet përfaqësueses së saj Shegush Ligori, sqaroi se selia rozë mbetet e angazhuar për hapjen e dosjeve, por përmes një ligji të ri, në respekt të Kushtetutës dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Shegush Ligori: “Dosjet duhet të hapen, por përmes një ligji të ri, për të cilin Partia Socialiste është gati të japë kontributin e saj. Por një ligj që të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit, si  dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.”

Ligji për Pastërtinë e Figurës së Zyrtarëve të Lartë u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, pas ankesave të paraqitura pranë saj, nga Partia Socialiste, Shoqata e Prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro