Vendosja e një dialogu politik mazhorancë-opozitë brenda institucionit të Parlamentit, ndonëse angazhon kreun e shtetit, pas rekomandimeve të rezolutës së Këshillit të Evropës për të ulur palët në bisedime nuk mund të shkojë përtej vendimit të gjykatave dhe dispozitave kushtetuese.

I këtij mendimi është juristi Çlirim Gjata, i cili në një intervistë për Televizionin Klan, shprehet prerazi kur thotë se pjesë e negociatave me presidentin Topi nuk mund të jetë hapja e kutive të votimit, proces ndaj të cilit gjyqësori e ka thënë fjalën e fundit.

Çlirim Gjata: “Në qoftë se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe madje s`ka nevojë të ketë, por aq më tepër kur ka vendim të Gjykatës Kushtetuese, nuk cenohen vendimet e formës së prerë të gjykatave. Nuk negociohet për to. Ajo që rëndon quhet hapja e kutive, ne e kemi diskutuar, s`ka vend për të negociuar. Është një kërkesë që unë e kam konsideruar kërkesë absurde. Nuk ka çështje negociate aty. Është çështje e zgjidhur nga Kushtetuta, nga ligjet, nga të gjitha si çështje. Negociata në këtë rast është në fazën e propozimit, rekomandimeve, këshillimeve.”

Në argumentin e tij ligjor, ish-kryetari i KQZ thotë, se kreut të shtetit i lind e drejta të ulë palët në një zgjidhje politike, bazuar në nenin 86 dhe 90 të Kushtetutës, pika 1 e tyre. Por kjo zgjedhje thekson ai duhet bërë duke mos interferuar në pushtetin e gjyqësorit. Në të kundërt, kalohet në një sistem jodemokratik.

Çlirim Gjata: “Në përputhje më Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, jua kam thënë, nuk mund të hapen, nuk mundet Parlamenti të hapë kutitë sepse këtë e bën një institucion siç është KQZ-ja, e kontrolluar nga Kolegji Zgjedhor. Kur u hapkan kutitë, pse të mos bëhet edhe një zhdoganim nga Parlamenti, institucione janë edhe ato. Në fund të fundit, pse duhet të kemi gjithë këto institucione kur mund të mbajmë një parlament e pastaj kalojmë në një sistem tjetër jodemokratik. Zgjidhja politike apo pa politikë, juridike apo jo juridike, duhet të vijë mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit. Së pari njëherë, s`mund të cenohen vendimet e gjykatave. Kjo është absolute. Së dyti, s`mund të cenohen kompetencat e pushteteve të tjera, parimi i madh i ndarjes së pushteteve.”

Futja e krerëve të shteteve në skenën politike për një zgjidhje të situatës së krijuar mes mazhorancës dhe opozitës erdhi pas rekomandimit që Asambleja Parlamentare e KE-së bëri pak ditë më parë.

Përmes një rezolute ajo i kërkon opozitës të heqë dorë nga bojkoti dhe mazhorancës të ngrejë një komision hetimor parlamentar./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro