Një apartament në Vlorë, në zonën e Lungomares, u sekuestrua nga SPAK, që e lidh atë me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn.
Edhe pse ky i fundit ka mohuar pronësinë e tij, hetuesit thonë se kanë vërtetuar që është i ish-ministrit dhe përdorur lirisht prej tij dhe familjarëve.
Hetimet, referuar SPAK, treguan gjithashtu se kjo pasuri u porosit nga miku i Beqajt dhe më pas iu la në përdorim këtij nëpërmjet një kontrate qiraje.
Në një njoftim zyrtar, SPAK thotë gjithashtu se nga kontrollet e ushtruara në këtë apartament në verë, janë gjetur materiale të rëndësishme për hetimet e dosjes SASPAK.
Apartamenti është blerë për 6.7 milionë Lekë dhe në të janë investuar 5 milionë Lekë. Vlera këto që konsiderohen të padeklaruara nga ish-ministri.
Beqaj është në qeli që prej verës me dyshimet se ka abuzuar me fondet e SASPAK, agjenci që koordinon fonde të Bashkimit Europian.
Tv Klan