Nis procesi gjyqësor ndaj Vehbi Alimuçës. Gjyqtari Gjin Gjoni ka hapur seancën pas shumë shtyrjeve. Ish bosi i VEFA-s, në këtë proces gjyqësor do të duhet të përgjigjet për akuzat e Prokurorit Ajaz Gjeta, krijim të bandave të armatosura dhe vjedhje në mashtrim në shuma të mëdha. Sipas prokurorit Gjeta shuma që Alimuça u detyrohet debitorëve të tij është 325 milion dhe 300 mijë dollarë, shumë që nuk u është kthyer ende.
Sipas prokurorit Alimuça në bashkëpunim me Dhimitër Gjovreku dhe Berxolli e Astrit Meça, të cilët gjykohen në mungesë, kanë bërë transferta të pista parash në banka zviceriane. Sipas Prokurorit Gjeta aktiviteti VEFA mbështetej vetëm në huamarrje.
Avokatja e Alimuçës tha se VEFA nuk ka patur si objekt të aktivitetit huamarrjen por e ka përdorur atë për ngritjen e rreth 200 objekteve fitimprurëse. Po sipas avokates pas rrëmujave të vitit 1997 VEFA ka likujduar deri në Shtator debitorë të saj në shumën deri në 140 milion dollarë. Gjithashtu avokatja kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për Alimuçën nga burg në arrest shtëpiak për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, kërkesë që u rrëzua më pas nga gjyqtari Gjoni.
Në fund të seancës së sotme e cila shënon dhe fillimin e procesit ndaj ish pronarit të VEFA-s Prokurori kërkoi sjelljen e shumë dëshmitarëve, përfshirë këtu dhe debitorët të shumtë në sallë për të dëshmuar rreth aktivitetit dhe lidhjen që kanë patur me kompaninë VEFA./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj