Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Prova e fundit e prokurorisë për dosjen “Kokaina” pritet të dëgjohet në seancën e ardhshme. Përfaqësuesi i akuzës Kosta Beluri paraqiti sot fashikujt, me dëshminë e kolumbianit Triana Mateus, i cili ka deklaruar se ka ardhur në Shqipëri dhe është takuar me të pandehurin Frederik Durda. Fakt që është pranuar edhe nga ky i fundit.
Të pandehurit nuk kanë qenë dakord me përkthyesit e caktuar nga prokuroria, për përkthimin e kësaj dëshmie të ardhur nga Amerika, ku është marrë në pyetje kolumbiani. Nesër do të paraqiten në sall vetë përkthyesit, ndërsa prokurorët pritet të lexojnë transkriptimin e kësaj dyshime të regjistruar në dy kaseta. Ndërkohë, i pandehuri Koçiu, paraqiti për të disatën herë kërkesën, për përjashtimin e kryetarit të seancës Gjin Gjoni.
Sokol Koçiu:- “Kërkojë përjashtimin e gjyqtarit, se në kundërshtim me vendimin e po kësaj gjykate të datës 20.03.2002, e cila ka pranuar kërkesat e mija për prova, ky gjyqtar më datë 24.02.2003, ka rrëzuar kërkesën time për përjashtimin, për shqyrtimin në seancë, të procesverbalit të pyetjes së të arrestuarve në shtetin italian, në lidhje me urdhrin e arrestit të Lecces në ngarkimin tim, i cili është depozituar në gjuhën italiane, pranë kësaj gjykate, një muaj pasi unë kisha bërë kërkesat e mija për prova”.
Kjo ka shkaktuar vonesë në vijimin normal të seancës, por edhe këtë herë gjykata ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e Koçiut. Ai pritet të përballet me disa kryeredaktor gazetash, të cilët i ka kërkuar si dëshmitare në sallën e gjyqit./tvklan.al