Në kuadër të marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-Turqi, emisioni “Pro Business” ka sjellë në pjesën e dytë historinë e suksesit të kompanisë “Global Distribution” të themeluar nga sipërmarrësi turk Kenan Sevinç.
Ekipi i Klan Plus ka sjellë të gjitha detajet e kësaj kompanie e cila operon në Shqipëri nga viti 2007.
Nga 2 brande që gëzonte në fillim “Global Distribution” sot ka gjetur terren në tregun shqiptar duke ofruar për konsumatorin më shumë se 400 produkte nën logon e 20 brandeve të mëdha.
“Ne e kemi filluar me 7 persona në staf dhe tani jemi mbi 100 persona në staf. Në fillim e kemi patur të vështirë për shtimin e gamës së produkteve, por kemi bërë strategjinë e duhur në marketing, sidomos me shërbimin e klientit për konsumatorët e kemi patur shumë të mirë. Falë kësaj kemi arritur të depertojmë në sektorin e brandeve të njohura në Shqipëri”, u shpreh sipërmarrësi turk Sevinç.
Pikësynimi i “Global Distribution” është që produktet të jenë të shtrira në të gjithë territorin e vendit.
“Pikësynimi ynë është që ne kudo që ka markete të jemi prezentë. Pra mund të themi që ne kemi qendrën këtu në Tiranë, por patjeter që kemi distributorë në Durrës, Shkodër, Fier, në Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Sarandë, jemi pothuajse të shtrirë në të gjithë territorin. Ne ofrojmë sherbimin tonë në 3600 pika shitje në Shqipëri, pra nëse marrim një mesatare prej 4000-4500 pika, në 3600 pika jemi prezentë”, u shpreh drejtori i shitjeve Erol Sakiroglu.
Kompania investon vazhdimisht në logjistikë për të siguruar shpejtësi dhe korrektësi tek klientët.
“Ne jemi në shërbim me kompanitë dhe partnerët tanë në 24 orë dhe nëse e bëjmë me kilometra, mund të themi që bëjmë shërbim 1 milionë kilometra në vit me gjithë furnizimet dhe shpërndarjet që bëjmë në rang global”, tha Haki Luma.