Turqia dhe Shqipëria po vijojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga vetë presidenti Erdogan në vizitën e fundit në Shqipëri ku u nënshkruan edhe disa marrëveshje.

Të ftuar në emisionin “Pro Business” në Tv Klan Plus, përfaqësues të “Musiad Albania” kanë folur me shifra për shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, investimet dhe planet e investimeve në të ardhmen.

“Në vitin 2022 ka pasur një rekord prej 1 milionë euro të tregtisë që kishim mes dy vendeve. Ndërsa në 2023 kjo vlera ka shkuar në 6 milionë euro. Kët vit në 6 muajt e parë ka prap një rekord pasi ka një rritje me 30% krahasuar me vitin e kaluar”, tha nënkryetari i “Musiad Albania”,  Z. Kenan Sevinç.

Sektorët ku kanë investuar sipërmarrësit turq janë të ndryshëm.

“Më shumë kemi investime në sektorin bankar, të energjisë dhe tek minierat, por kemi një shtim të interesit edhe për turizmin dhe sektorin e ndërtimit. Kemi rreth 800 kompani që janë hapur në Shqipëri dhe të gjitha këto kanë afro 8 mijë punonjës në këto kompani turke këtu”, shprehet më tej Z.Sevinç.

Turqia ka një historik të pasur sa i përket investimeve në Shqipëri dhe këto i rendit sipërmarrësi Sinan Tekin, nënkryetar i “Musiad Albania”.

“ Për shkak edhe të pozitës së favorshme gjeografike dhe infrastrukturës, kemi të implementuara vitet e fundit mbi 500 projekte turke që kapin vlerën e mbi 20 milionë Eurove. Turqia ka peshë edhe në aspektin tregtar duke u pozicionuar në vend të dytë si investitore në Shqipëri. Importet e produkteve turke janë nga materialet e ndërtimit, metalet, mineralet dhe lëndët djegëse, këpucë e tekstile. Mundësitë mes dy shteteve janë që shkëmbimet tregtare të rriten sa më shumë ndaj janë firmosur së fundmi 10 marrëveshje mes Turqisë e Shqipërisë.”

Edhe sipërmarrësit shqiptarë  po bëjnë tregti me Turqinë.

“Në Turqi janë mbi 8 milionë shqiptarë që janë pjesë e biznesit, por kanë qenë dhe suport për bizneset shqiptare në Turqi. Një nga kompanitë që ka hapur firmën në Turqi jam dhe unë dhe kam të punësuar shtetas turq atje. Përpos meje njoh shumë kompani shqiptare që kanë hapur bizneset e tyre në Turqi dhe nëpërmjet saj eksportojnë në disa vende të botës. Sektorët janë të shumtë. Në Turqi sektori i logjistikës që është shumë i rëndësishëm ku kompanitë shqiptare ndër vitet e fundit kanë marrë një masë të gjërë të transporteve Turqi-Shqipëri dhe e kanë pasur të domosdoshme të jenë me firmat e tyre në Turqi”, thotë Gledi Kryemadhi, anëtar i “Musiad Albania”.