Ambasadori i delegacionit të BE, Silvio Gonzato ka dënuar aktet e dhunshme nga opozita në Kuvend pasditen e së hënës.
Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të Parlamentit, Gonzato tha se dhuna nuk duhet të ushtrohet në Kuvend, dhe i bëri thirrje palëve që t’i rikthehen dialogut.
“Disa përfaqësues të opozitës ditën e djeshme përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në Kuvend dhe kjo është vërtet për të ardhur keq. Çfarë do lloj qëndrimi apo ideje që mund të kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin.
Gjithashtu më duhet të them që në një demokraci funksionale si Shqipëria, pakënaqësitë nga më të ndryshmet duhet të shprehen në mënyrën e duhur dhe nuk duhet që të përdoret dhunë apo që të bëhen dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin.
Sepse deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të kenë mundësinë që të përmbushin dhe të luajnë rolin e tyre në siguri të plotë. Pranda ja lejoj vetes që ta bëj këtë koment pikërisht se është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Shqipërisë, parlamenti i vendit, të luaj rolin e duhur që Shqipëria të behet një vend anëtar në një demokraci funksionale, pra pikërisht paralmenti duhet të luajë rolin e vete dhe në të ardhmen.
Prandaj thirrja që unë u bëj të gjithëve në këtë moment është tu ktheheni dialogut, jo që të bini dakord për gjithçka, por për të diskutuar dhe dialoguar. Gjithashtu të shmangen sulmet personale apo verbale. Lutem që të ulet përshkallëzimi”, deklaroi ambasadori Gonzato.
Tv Klan