Vëllezërit Çala fshiheshin në Qerret të Kavajës
Pas një viti kërkimesh, policia arrestoi vëllezërit Klement dhe Eldi Çala të akuzuar për grabitjen spektakolare në Rinas. Vëllezërit u gjetën në Qerret dhe ishin të armatosur, thanë burime të policisë për Tv Klan.
Me 4.6 milionë Euro arritën të largohen nga Rinasi vëllezërit Çala në Prill të vitit të kaluar, kur grabitën dërgesat e bankave jashtë vendit. Me pjesën e tyre të milionave kishin zgjedhur të jetonin në fshatin Qerret të Kavajës, aty ku policia i vuri në pranga me një operacion ku morën pjesë qindra efektivë.
Burime nga policia thanë për Tv Klan se vëllezërit Çala jetonin në një banesë me qira. Nga kontroll iu gjetën armë dhe municione luftarake, një sasi parash dhe mjete motorike që iu shërbenin për t’iu shmangur policisë.
Në Prill të vitit të kaluar, vëllezërit Çala nuk ishin vetëm. Grabitësit ishin një grup personash që hynë në pistën e Rinasit me një makinë me logo “Hetimi Tatimor” dhe grabitën sasinë e parave në kohën që do të trasportoheshin me avion jashtë shtetit përmes aeroportit të Rinasit. Autorët u ndoqën nga policia, dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vdekur Admir Murataj. Deri tani policia ka vënë në pranga 7 prej bashkëpunëtorëve.
Në kërkim ngelet vetëm Talo Çela, që dyshohet se ka modifikuar furgonin me logo “Hetimi Tatimor” me të cilën u realizua grabitja. 32-vjeçari Klement Çala akuzohet edhe për grabitjen e blindave me para në vitin 2017 në rrugën Qafë Kashar – Rinas. Blindat po transportonin drejt Rinasit paratë e disa bankave të nivelit të dytë dhe iu bë pritë nga një grup i armatosur ku u grabitën 2.7 milionë Dollarë.
Tv Klan