Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me 18 vite burg Talo Çelën për grabitjen e 4.5 milionë eurove në aeroportin e Rinasit, ndodhur në Prill të vitit 2019. Kujtojmë se çështja ndaj Talo Çelës u gjykua në mungesë.

Talo Çela është prej vitesh në arrati pasi akuzohet për pjesëmarrje dhe organizime të disa atentateve në Elbasan dhe Durrës. Implikimi i tij në grabitjen e Rinasit, u konfirmua sipas SPAK edhe nga disa komunikime të gjetura në aplikacionin Sky, ku Talo Çela shqetësohej në atë kohë për dëshminë e bashkautorit të tij Alkond Bengasi, që bashkëpunoi fillimisht me drejtësinë duke zbardhur ngjarjen.

Në 2023, për grabitjen e 9 Prillit 2019, Gjykata e Posaçme dënoi me 122 vite burg në total bashkëpunëtorët e Çelës.

Dënimin më të lartë e mori Klement Çala, me 20 vite, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Çela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me 17 vite burg.

Pjesë e grabitjes u vërtetua të ishte edhe Admir Murataj që mbeti i vrarë gjatë arratisjes, si dhe Ragip Hajdini, ky i fundit humbi jetën në spitalin e burgut nga një sëmundje./tvklan.al