Prokuroria e Posaçme i kërkon gjykatës dënimin me 19 vite burg të shumëkërkuarit Talo Çela. SPAK konsideron përgjegjës 53-vjeçarin për grabitjen e 5.4 milionë Eurove në aeroportin e Rinasit, ngjarje e ndodhur në 9 Prill të vitit 2019.

Gjatë seancës së të hënës ku u lexua pretenca nga prokurori i çështjes, avokati i Talo Çelës kërkoi kohë të njihej me materialin e SPAK. Për shpalljen e vendimit trupi gjykues i përbërë nga Erjon Bani, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri caktuan seancën në datë 21 Nëntor ora 10.00. Talo Çela, që prej vitit 2019 rezulton të jetë personi më i kërkuar në Shqipëri.

Për vjedhjen e 5.4 milionë Eurove u gjetën fajtorë dhe janë dënuar me 122 vite burg në total 7 persona të tjerë. Mes tyre janë Klement Çala, i konsideruar si një nga njerëzit kryesorë në organizimin dhe finalizimin e grabitjes si dhe vëllai i tij, Eldi Çala, respektivisht me 20 dhe 17 vjet burg.

Për grabitjen e Rinasit, disa nga të pandehurit u futën me një furgon brenda perimetrit të sigurisë së aeroportit, iu afruan një avioni dhe nën kërcënimin e armëve morën vlerën e konsiderueshme të parave.

Në largim, gjatë ndjekjes së policisë, në rrethana që ende nuk janë qartësuar nga hetuesit u vra një prej grabitësve Admir Murati, i konsideruar po ashtu një nga personat kyç në organizimin e grabitje.

Klan News