Në prag të takimit të parë ndaj Norvegjisë, të vlefshëm për raundin e parë të play-offit për Euro 2025”, trajneri i kombëtares së femrave Armir Grima e bëri të qartë se Shqipëria do të japë gjithçka në fushë.
Pavarësisht mungesave në skuadër, tekniku kuqezi tha në konferencën për shtyp se beson te skuadra e tij, që është forcuar me elemente të reja.
“Është e vështirë. Norvegjia është një ekip i fortë për çdo skuadër të Europës, jo vetëm për ne si Shqipëri. Por ne do të bëjmë përpjekjet tona, do të japim maksimumin tonë dhe besoj se do të bëjmë një paraqitje të mirë. Ka mungesa, por unë jam shumë besimplotë te grupi i vajzave që kam dhe besoj që edhe ato do e justifikojnë maksimalisht këtë besim.”
Sfida do të luhet në “Loro Boriçi” dhe tekniku beson se tifozët do të mbështesin kuqezezat në stadium.
“Tifozeria shkodrane nuk do të na zhgënjejë dhe jam i bindur që do të na ndjekin. Edhe në ndeshjet e tjera që kemi luajtur këtu, kemi pasur mbështetjen e tyre dhe janë suport i mirë për ne dhe një motivim i madh të luash para tyre në Shkodër.”
Ndërsa kapitenia Megi Doçi vlerësoi ekipin e Norvegjisë, por theksoi se në futboll asgjë nuk është e pamundur.
Më 29 Tetor, kuqezezat do të ndeshen në Oslo sërish me norvegjezet. Në rast suksesi ndaj nordikeve, në raundin e dytë të play-off-it Shqipëria do të përballet me fituesen e çiftit Kroaci – Irlandë e Veriut.
Klan News